Në Gjermani ka nisur procesi gjyqësor ndaj Christina Block, një trashëgimtare e pasur që akuzohet se ka rrëmbyer fëmijët e saj. Historia ka tronditur opinionin publik jo vetëm në Gjermani, por në mbarë Europën. Por për çfarë bëhet fjalë? ‘Guardian’ sjell një shpjegim për procesin që po mban mbërthyer mediat dhe opinionin publik.
Prej më shumë se gjysmë shekulli, ‘Block House’ ka qenë një nga zinxhirët e restoranteve më të njohur në rrugët kryesore të Gjermanisë – një koleksion miqësor për familjet, ku ndër specialitetet më të njohura janë “hamburgeri klasik Block” dhe “filet mignon”.
Por prej muajsh, zinxhiri me bazë në Hamburg po bën bujë për një arsye krejt tjetër: një betejë e ashpër dhe e pazakontë për kujdestarinë mes trashëgimtares së biznesit familjar, Christina Block, dhe ish-bashkëshortit të saj, për dy më të vegjlit nga katër fëmijët e tyre.
Mes atyre që akuzohen se janë përfshirë në këtë çështje janë spiunë izraelitë, si edhe ish-shefi i shërbimit të inteligjencës së brendshme të Gjermanisë.
Tani, përplasja, e cila deri tani ishte zhvilluar kryesisht në zyrat e avokatëve dhe në shtypin tabloid të vendit – diçka e pazakontë për Gjermaninë kjo, ku ekzistojnë ligje shumë të rrepta për privatësinë – ka mbërritur në një gjykatë të Hamburgut.
Mes një buje të madhe mediatike, Block po gjykohet në gjykatën rajonale të qytetit portual në veri, e akuzuar për rrëmbim të të fëmijëve, lëndim të rëndë trupor dhe ndalim të paligjshëm. Më saktë, dhe në qendër të çështjes, është akuza se ajo ka kontraktuar një kompani ndërkombëtare sigurie për të kryer rrëmbimin e dhunshëm dhe ndërkufitar të dy fëmijëve të saj më të vegjël. Nëse shpallet fajtore, ajo rrezikon deri në 10 vjet burg.
Në bankën e të akuzuarve së bashku me të ndodhet Gerhard Delling, ish-gazetar sportiv televiziv, një nga prezantuesit më të njohur të futbollit në Gjermani dhe partneri romantik i Block që nga viti 2021. Ai akuzohet për ndihmë dhe bashkëpunim në operacionin e supozuar të rrëmbimit.
Çështja po shqyrtohet në një sallë gjyqi me siguri të lartë, zakonisht e rezervuar për gjyqe kundër terroristëve, për shkak të natyrës së të akuzuarve, mes të cilëve përfshihen ish-agjentë të supozuar të inteligjencës izraelite.
Sipas akuzave, Block dyshohet se ka kontraktuar një grup për të sulmuar ish-bashkëshortin e saj, Stephan Hensel, dhe dy fëmijët e tyre më të vegjël, atëherë 10 dhe 13 vjeç, ndërsa po shikonin një shfaqje fishekzjarrësh si pjesë e festimeve të Vitit të Ri 2023-24 në shtëpinë e Hensel në Danimarkën jugore, pranë kufirit me Gjermaninë.
Mësohet se personat e sulmuan Hensel, para se të tërhiqnin djalin dhe vajzën e tij në një pyll, përmes një lumi dhe në një makinë. Fëmijëve u mbyllën gojën me shirit dhe njërin prej tyre e lidhën. Ata u kërcënuan me vdekje, ndërsa një nga burrat u tha: “Qetësohuni, përndryshe ju vrasim”.
Policia daneze me qen gjurmues iu vu pas rrëmbyesve, për shkak të një alarmi që ishte vendosur nga babai mbi djalin e tij.
Fëmijët u çuan në një fermë në Baden-Württemberg, në jug të Gjermanisë, dhe u mbajtën aty deri sa Block mbërriti për t’i marrë më 2 janar 2024 dhe i dërgoi në vilën e saj në Hamburg. Disa ditë më vonë, ata u dorëzuan tek policia dhe u kthyen në Danimarkë.
Si Block, ashtu edhe Delling – i akuzuar për ndihmë në organizimin e dorëzimit dhe transportimin e fëmijëve drejt Hamburgut – mohojnë të gjitha akuzat.
Mes disa bashkëpunëtorëve të dyshuar është edhe August Hanning, ish-shefi i shërbimit federal të inteligjencës të Gjermanisë, BND, i cili sipas prokurorëve ka ndërmjetësuar kontaktin e parë mes Block dhe kompanisë izraelite të spiunazhit, e supozuar si kryesore në rrëmbim. Hanning, i cili ka folur publikisht në mbrojtje të Block, mohon çdo përfshirje në rrëmbim.
Block ka thënë se kompania e sigurisë veproi me iniciativën e vet, dhe se nëna e saj, e cila vdiq rreth nëntë muaj para rrëmbimit, pagoi për operacionin, i cili besohet se ka kushtuar qindra mijëra euro dhe është planifikuar për muaj të tërë.
Block akuzohet gjithashtu se ka kontraktuar të njëjtën kompani për të vendosur imazhe të rreme të abuzimit seksual ndaj fëmijëve në pronën e Hensel, në një përpjekje për ta akuzuar atë si abuzues fëmijësh. Ajo mohon edhe këtë akuzë.
Ekipi mbrojtës i Block pritet të argumentojë se ajo u dëshpërua pasi fëmijët e saj u mbajtën padrejtësisht nga babai në Danimarkë, kur ai refuzoi t’i kthente sipas marrëveshjes pas një vizite të planifikuar më parë në vitin 2021.
Avokatët e saj thonë se ajo kishte marrë kujdestarinë e fëmijëve, por Hensel kishte injoruar vendimin gjerman. Policia gjermane kishte kthyer fëmijët në Danimarkë pas rrëmbimit, në kërkesë të policisë daneze. Autoritetet daneze kanë refuzuar të pranojnë vendimin gjerman për kujdestarinë. Mediat gjermane kanë raportuar gjerësisht se autoritetet daneze kanë thënë se fëmijët nuk duan të kenë asnjë kontakt me nënën e tyre.
Hensel ka marrë kujdestarinë e dy fëmijëve nga një gjykatë daneze, një vendim që Block ka provuar, por ka dështuar, ta anulojë në gjykatat gjermane. Tani ata jetojnë me babanë e tyre në Danimarkë në një adresë sekrete, dhe thuhet se të gjithë kanë ndryshuar emrat e tyre.
Ky proces gjyqësor me profil të lartë pritet të vazhdojë deri në Krishtlindje dhe do të dëgjojë 141 dëshmitarë dhe 22 ekspertë. Gjatë dy ditëve të para të seancës, Block dhe Hensel ulën vetëm disa metra larg njëri-tjetrit, por asnjëri nuk e pa ose foli me tjetrin.
Vajza e tyre, tani 14 vjeç, ka thënë se dëshiron të flasë në gjykatë.
Themeluesi dhe patriarku i biznesit ‘Block House’, Eugen Block, 83 vjeç, i cili u dëshiron vizitorëve “much joie de vivre and pleasure” në menytë e restoranteve të tij, ka thënë se nuk i ka parë nipërit dhe mbesat e tij prej vitesh. Beteja për kujdestarinë i ka shkaktuar atij “shumë dhimbje zemre”, tha ai për Hamburger Abendblatt.