Në vitin 2011, kandidati socialist Jorgo Goro arriti të realizojë një fitore të ngushtë në zgjedhjet e bashkisë së qytetit Himarë, ndërsa kryebashkiaku i mëparshëm, Vasil Bollano, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, humbi. Goro fitoi 42% të votave ndërsa Bollano 39%. Dy kandidatë të tjerë përfaqësonin koalicionin përreth PD-së dhe partinë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, MEGA.
Në zgjedhjet e vitit 2015, kur qytetit të Himarës iu bashkuan edhe komunat Lukovë dhe Horë-Vranisht, socialistët e patën më të lehtë fitoren. Këtë herë ata ishin në koalicion me LSI-në ndërsa ish-komuna Horë-Vranisht, ku përfshihen disa nga fshatrat mbështetëse historike të komunizmit shqiptar si Kuç dhe Tërbaç, u dha atyre fitore të thellë.
Socialistët arritën ta forcojnë më thellë rezultatin e vet zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur arritën të fitojnë 59% të votave, përkundrejt 37% të opozitës së përbërë nga demokratët dhe LSI. Ata fituan me mbi 50% të votave në të trija njësitë e bashkisë, por në Horë-Vranisht, rezultati për socialistët ishte 82%.
Jorgo Goro garon në zgjedhjet e 14 majit 2023 për mandatin e tij të katërt. Përballë tij garon Dhionisios Alfred Petro Beleri, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. I njohur shkurtimisht si Fredi Beleri, ky i fundit ka garuar për PBDNJ-në në zgjedhjet e vitit 2015 dhe fitoi 27% të votave.
Numri i votuesve në Himarë ka mbetur pak a shumë në të njëjtat nivele përgjatë dekadës së fundit, por numri i votave të hedhura realisht në kutitë e votimit ka ardhur në rënie të vazhdueshme. Pjesëmarrja ishte 40% në vitin 2011 dhe ra në vetëm 26% në zgjedhjet e vitit 2021, një nga nivelet më të ulëta në vend. Në vlerë absolute, në zgjedhjet e vitit 2015 morën pjesë afro 8700 votues, ndërsa më 2021, ishin vetëm 5900. Një pjesë e rënies mund të jetë shkaktuar nga vendimi i komitetit COVID për të ndaluar të votojnë emigrantët që mund të ktheheshin për të votuar ndërsa efekti i shkëputjes së lidhjeve me vendlindjen të emigrantëve të vjetër apo largimi i mëtejshëm i popullsisë është i vështirë të përcaktohet për shkak të mungesës së censusit të popullsisë dhe banesave.
Në terma absolutë, numri i votave për socialistët ka rënë më pak se sa numri i votave të kandidatëve të tjerë.
Situata gjithsesi duket ndryshe në zgjedhjet e 14 majit. Fredi Beleri është përfaqësues i PBDNJ-së dhe besohet se do të jetë në gjendje të thërrasë mbështetës nga emigrantët në Greqi. Ndonëse socialistët me të vërtetë kanë fituar 59% të votave më 2021, Himara është një bashki e vogël me numra të vegjël. Dhjetë apo njëzet autobuzë nga numri i madh i emigrantëve mund të ndryshojë balancën.
Himara është një bashki bregdetare me burime të konsiderueshme natyrore për turizëm, bujqësi e blegtori e peshkim, si dhe me objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Ajo shtrihet në 572 kilometra katrore dhe, pavarësisht burimeve të lakmueshme natyrore, është një nga zonat më pak të populluara në vend dhe më të goditura nga emigrimi masiv dhe kolapsi demografik. Në censusin e vitit 2011, vetëm 7800 nga mbi 25 mijë banorët e regjistruar u gjendën në shtëpi, gjë që sugjeron se dy në tre banorë kanë emigruar.
Himara është gjithashtu një nga të paktat bashki të vendit që kanë mbërritur sakaq në pikën e rënies demografike natyrore, gjë që do të thotë që prej vitesh, lindjet në këtë bashki janë më të pakëta se sa vdekjet. Dhe tendenca është gjithashtu në përkeqësim. Në vitin 2021, në Himarë pati vetëm 50 lindje ndërsa numri i vdekjeve ishte 183.(BIRN)