Deputeti i PD, Bledjon Nallbati ka folur pas asaj që ndodhi në seancën e shkuar në Kuvend, ku salla u mbulua nga tymi e flaka.
Nallbati i cili ishte dhe deputeti që ndezi flakadanin dhe mori flakë, u shpreh se flaka ishte një incident.
Sipas tij nuk do të ketë zhvillim seance në mënyrë normale, nëse mazhoranca nuk do të plotësojë kërkesat e tyre.
“Sigurisht që flaka ishte simbolike, është një flakadanë që lëshon tym, pavarësisht se mori flakë në një moment. Ishte një incident le të themi. Çështja është çmenduria e kësaj qeveria që vazhdon ta lerë Kuvendin në atë gjendje.
A jam unë i gatshëm ta vazhdoj këtë aksion deri sa të na njohin të drejtat? Unë jam pjesë e një grupi parlamentar, dhe aty është marrë vendimi që kjo do vazhdojë deri sa mazhoranca të respektojë të drejtat tona.
Këta kanë vendosur të na shtypin me dhunë? Do ta shikojmë pra deri ku do të arrijnë ata dhe deri ku do të arrijmë ne.
Të sjellin ushtrinë më mirë, me kallash, ta kthejnë në juntë….”, u shpreh ai në studion e News24.