Sali Berisha akuzohet nga Zylfie Haklaj si urdhëruesi dhe dirigjuesi i vrasjes së katër vëllezërve të saj në Tropojë në ngjarjet e përgjakshme të fundit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000 dhe i sulmeve me predha dhe tritol ndaj kullës së tyre në fshatin Kërnajë.

Në kallëzimin e dorëzuar nga SPAK, Zylfe dhe Muharrem Haklaj padisin 16 persona, mes të cilëve edhe Sali Berishën. Sipas padisë, Berisha ka udhëhequr bandën e armatosur të fisit Hoxha, që ka organizuar vrasjet e Fatmir Haklajt dhe tre vëllezërve të tij.

Kallëzuesit thonë se i kanë vënë prokurorisë së posaçme në dispozicion shumë prova, fakte, dokumente, video, pamje filmike dhe shumë dëshmitarë okularë, të cilët provojnë tej çdo dyshimi se kanë kryer disa vrasje të rënda me paramendim dhe hakmarrje në kuadrin e Bandës së Armatosur, kanë kryer akte terroristë.

Sipas padisë, akti terrorist më barbarë prej kësaj Bande të Armatosur të Sali Berishës është ai i dates 24 korrik 2006. Kulla e Haklajve goditet me predha artilerie.

Njëra predhë bie në çatinë e kullës, duke shkaktuar dëme materiale, ndërsa predha tjetër u gjet e paplasur në ballkonin e kullës në katin e dytë të saj. Qiraxhiu që ishte brenda kësaj Kulle me fëmijët dhe gruan e tij nuk kanë pësuar gjë.

Padia thotë se njejta Bandë e Armatosur kriminale e drejtuar nga Sali Berisha, në datën 14 gusht 2006, kanë shkuar në Kullën e Haklajve dhe kanë kryer aktin tjetër terrorist, duke spërkatur me benzinë të treja katet e kësaj Kulle dhe duke i venë flakën asaj.

Kulla është shkrumbuar e gjitha, duke shkaktuar një dëm të rëndësishëm material, pasi ajo është kthyer në gërmadh, ndërsa jetë njerëzish nuk janë dëmtuar sepse nuk kishte asnjë person që të banonte atë ditë aty.

Në datën 16 shtator 2006 15 personat e akuzuar së bashku me Sali Berishën, paditen si autorë të vendosjes së një sasie të madhe tritoli në murin rretheues të kullës. Nga sulmi, kulla u rrafshua komplet.

Në kallëzim flitet edhe për rolin e Sali Berishës dhe 15 të akuzuarve të tjerë në kryerjen e veprave penale të vrasjes së 4 djemve të Muharrem Haklajt, konkretisht Shkëlqim Haklajn, Fatmir Haklajn, Halil Haklajn dhe Ylli Haklajn.

Top News