Kosova do të bëhet një vend anëtar i Këshillit të Europës brenda disa muajve. Këtë e konfirmoi ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në komisionin parlamentar për punë të jashtme.
Kryediplomatja njoftoi se Kosova i ka siguruar votat e nevojshme dhe se nuk do të duhet shumë kohë përpara se aplikimi të kalojë nga Komiteti i Ministrave për në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, që është dhe faza e fundit dhe përmbyllëse e këtij procesi.“Ka pasur konsultime të ndryshme të Presidencës së Këshillit të Evropës me shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe shtetet jo njohëse. Çfarë ka ndodhur ndërkohë është se askush nuk ka dilemë që votat i kemi të siguruara, kjo ka qenë sfida kryesore që partnerët tanë kanë menduar se do të jetë më e madhja, sigurimi i votave të nevojshme për të pranuar kërkesën tonë”, tha Donika Gërvalla, ministre e Jashtme e Kosovës.
Gërvalla informoi Komisionin parlamentar për punë të jashtme se po punon intensivisht për anëtarësimin e Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare dhe për sigurimin e njohjeve të reja.
“Me Greqinë kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira. Unë shumë shpresoj dhe pres që Greqia së shpejti mund të lëvizë drejt njohjes”.
Ministrja e jashtme e Kosovës adresoi dhe pretendimet për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë duke pohuar se të gjitha deklaratat e Serbisë po rrëzohen një e nga një. Ndër të tjera, Gërvalla konfirmoi se fokusi kryesor i Kosovës është anëtarësimi në NATO.