Bayer Leverkusen mposhti të martën 1-0 Interin në Champions League. Goli i Nordi Mukiele në minutën e fundit të ndeshjes i dha tri pikë “Aspirinave” duke bërë që italianët të pësojnë humbjen e parë pas gjashtë ndeshjeve në këtë turne.
Nëse lëmë pas Mukiele, që si autori i golit të vetëm u shpall njeriu i ndeshjes, një rol kyç në mesin e fushës për gjermanët kishte edhe Granit Xhaka. Mesfushori shqiptar “fiku” rivalët me performancën e tij dhe sipas “SofaScore” me notën 7.9 është lojtari i dytë më i vlerësuar i takimit.
Xhaka bëri 113 prekje, ndërsa nga 104 pasime ai kompletoi 98, me 94 përqind saktësi. Ai kishte katër topa të gjatë të saktë, ndërsa fitoi katër nga katër duele. Mesfushori shqiptar kishte edhe dy pasime kyçe dhe një ndërhyrje të saktë.
Pas ndeshjes Xhaka tha se duhet të punojnë për të marrë të tjera pikë.
“Të gjithë duhet të punojmë shumë deri në Krishtlindje. Ne kemi nevojë për pikë, nëse luajmë në mënyrë kaq të kontrolluar, fitojmë ndeshje”, tha Xhaka.
Bayer Leverkusen është ngjitur në vendin e dytë në renditje me 13 pikë.