Në të tretën ditë të përballjes të paprecedentë në gjykatën londineze, të Sali Berishës me qeverinë angleze, avokatët e ish-kryeministrit kanë paraqitur argumentet kundërshtues për shpalljen e tij, person non grata në Britaninë e Madhe.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, mëson se Fergus Randolph KC, përfaqësuesi ligjor i zotit Berisha i tha SIAC ((Komisioni Special i Apeleve të Emigracionit) se me vendimin e saj ish sekretaria e shtetit Priti Patel ka shkelur ligjin dhe se akuzat që çuan në shpalljen e ish kryeministrit shqiptarë Non Grata, janë serioze dhe haptazi të pa vërteta.
Më tej Fergus Randolph KC, përfaqësuesi ligjor i zotit Berisha i tha gjyqtarëve të SIAC, se sekretarja e shtetit dështoi të marrë në konsideratë faktin se zoti Berisha nuk është në pushtet prej 10 vitesh dhe nuk ka se si të jetë i prirur të forcojë apo të ketë lidhje me krimin e organizuar.
Një tjetër argument i paraqitur prej mbrojtjes është se kryeministri Edi Rama e paralajmëroi në parlament shpalljen non grata të Berishës nga Britania e Madhe, përpara se Priti Patel të shpallte vendimin. Kjo përballje e para e këtij lloji mes një ish kryeministri dhe një qeverie perëndimore, ka një kosto financiare, aq më tepër që ekipi mbrojtës i zotit Berisha është ndër më të mirët në Britaninë e Madhe.
Por a është zoti Berisha apo dikush tjetër që paguan shpenzimet e kësaj beteje gjyqësore në Londër?
Për këtë Top Channel pyeti kompaninë avokatore Zaiwalla & Co dhe është në pritje të një përgjigje. Megjithatë avokatë në Londër me të cilët është konsultuar Top Channel pohojnë se juristë të kalibrit të Fergus Randolph KC, i cili po përfaqëson Sali Berishën në këtë proces, paguhen mbi 950 stërlina plus TVSH për një orë punë, pra rreth mbi 1 milion lekë për një orë pune.
Ndërkohë nëse marrim në konsideratë reputacionin dhe çështjet e trajtuara në të shkuarën, një avokat i kompanisë Zaiwalla & Co tarifon deri në 650 stërlina për një orë pune.