Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, pas votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare tha se pret që qeveria e re të formohet shpejt.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët nëse ka mundësi të jetë kryeministër i ardhshëm, ai e ka pranuar se “është i interesuar”, nëse do i jepej mundësia.

“Unë vetëm pak kohë më parë jam tërhequr nga politika, sigurisht që tashmë e kam thënë që dikush që ka bërë 35 vite në politikë nuk mund të jetë kurrë i pa interesuar. Unë jam i interesuar, jam i interesuar mbi të gjitha që ky vend të mos braktisë objektivin e tij strategjik, të bëhet anëtar i BE-së”, tha Gjukanoviç para gazetareve.

Por, sipas tij, gjëja më e rëndësishme është që Mali i Zi të vazhdojë në rrugën evropiane pa u ndalur.

Gjukanoviç po ashtu është pyetur se me kë mund të bëjë koalicion pas zgjedhjeve, derisa ky fundit shtoi se me të gjithë ata që duan që “Mali i Zi të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”.

“Gjithkush që është i gatshëm të punoj për reforma është partner i dëshirueshëm. DPS nuk deklarohet me fjalë, DPS ka bërë gjithçka qe një dekadë e gjysmë”, shtoi ish-presidenti malazez.

Ndryshe, këtë të diele të 11 qershorit në Mal të Zi po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Votimi është parë si mundësi që do të ofrojë indikacione nëse anëtari i vogël i NATO-s në Ballkan do të kapërcejë ndarjet e thella politike dhe paqëndrueshmërinë që kanë penguar rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Rreth 542 mijë votues kanë të drejtë të zgjedhin midis 15 partive dhe koalicioneve që paraqesin kandidatë, duke filluar nga grupet që janë fort pro-perëndimore deri te ato që janë pro-serbe dhe pro-ruse.

Zgjedhjet do të jenë të parat e Malit të Zi në më shumë se 30 vjet që nuk paraqesin Milo Gjukanoviç, i cili shërbeu pothuajse vazhdimisht si kryeministër ose president i vendit që nga viti 2001.

Ai humbi zgjedhjet presidenciale në prill dhe ka zënë vendin e dytë në politikë.

Sondazhet dhe analistët parashikojnë se lëvizja centriste “Evropa Tani”, e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç, dhe presidenti aktual, Jakov Milatovic, ka shumë të ngjarë të jetë fituesja e shumicës, por pa vende të mjaftueshme në parlament për të formuar një qeveri të re më vete.