GJKKO ka rrëzuar kërkesën e SPAK për të larguar gjyqtaren Ilirjana Olldashi nga shqyrtimi i ankimimit të Jamarbër Malltezit për sekuestrimin që i është bërë pasurive të tij.

SPAK e ka bërë këtë kërkesë për shkak të konfliktit të interesit, njësoj siç ka vepruar dhe në rastin e Sali Berishës duke kërkuar që të përjashtohet Olldashi nga ankimimi i ish-kryeministrit për shuarjen e masave të sigurisë.

Kujtojmë se gjyqtarja lehtësoi masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për Malltezin.

Berisha dhe dhëndri i tij akuzohen nga SPAK në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, pas kallëzimit të bërë në vitin 2020 nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Malltezi u arrestua në Rinas më 21 tetor me urdhër të SPAK. Mbi të rëndojnë akuzat për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”.

Për të njëjtën çështje GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe për Sali Berishën dhe sipërmarrësin Fatmir Bektashi, ortak i Malltezit dhe ndërtues i kompleksit të pallateve.

Ish-kryeministrit i është ndaluar dalja jashtë shtetit dhe mbi të është ngritur akuza e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim.