GJKKO ka miratuar kërkesën e SPAK për masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për Sali Berishën.

Bëhet me dije se Berisha ndodhet në shtëpi dhe ditën e sotme nuk ka dalë nga banesa.

Ndaj ish-kryeministrit kjo masë u mor sot nga GJKKO pas moszbatimit nga ana e tij të vendimit po të kësaj gjykate për ‘detyrim paraqitje’.

Berisha do të jetë i detyruar të qëndrojë në shtëpi dhe të mos ketë komunikim me asnjë person tjetër që nuk jeton me të, ndërsa zbatimi i masës do të jetë dhe nën mbikqyrje policore.

Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv pasi po hetohet për çështjen e kompleksit Partizani, çështje për të cilën u prangos dhe u lirua më pas në masë ‘arrest shtëpie’ dhe dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi.