Ndarja e parakohshme dhe e papritur nga jeta e ish-deputetit të PD, Gerti Bogdani tronditi politikën dhe opinionin publik të mërkurën.
Mjeku Indrit Temali shpjegoi në emisionin Barometri në Euronews Albania se vdekja e papritur kardiake është një ngjarje që ndodh dhe nuk zgjedh, edhe pse pak flitet për të.
Ai tregoi se vdekja e papritur nuk ka shenja që i paraprijnë dhe mund të ndodhë për një sërë shkaqesh.
“Ne si kardiologë jemi pak më të mësuar me ngjarje të tilla, në mjekësi njihet si vdekja e papritur, është një temë pak e trajtuar, është mirë që komuniteti të informohet me këtë ngjarje, që ndodh dhe nuk zgjedh.
Vdekja ndodh brenda një ore në një person dukshëm të shëndoshë pa sëmundje, vdekja e papritur nuk ka shenja që i paraprijnë, gjithçka ndodh brenda një ore.
Shkaqet janë nga të ndryshmet, aritmitë janë 70-80 e vdekjeve të papritura, mund të ndodhë nga shkaqe të aortës, bllokim të arterieve të mushkërive, nga infarktet, nga dëmtimi i muskulit të zemrës, nga valvulat e zemrës, edhe nga patologji të kanaleve jonike që janë shumë më të holla dhe janë të përcaktuara gjenetikisht. Ka një sërë shkaqesh për vdekjen e papritur kardiake”, shpjegoi mjeku.