Mesditën e sotme u nda nga jeta ish-deputeti i PD Gerti Bogdani. Në moshën 44 vjeçare në formë krejt të papritur, atij  iu prenë në mes të gjitha ëndrrat e thurura për të nesërmen.

Lajm i trishtë për kolegë, miq e madje njerëz që mbase asnjëherë s’e kishin njohur nga afër…Por mbi të gjitha, një dhimbje e madhe për familjen. Bogdani ka lënë pas dy fëmijët, Ajrën e Reinartin si dhe bashkëshorten, aktivisten e njohur Edlira Çepani.

Pas një lidhjeje të gjatë dashurie të nisur që në bankat e gjimnazit, Gerti dhe Edlira u martuan në Korrik të vitit 2010. Një dasmë e madhe me shumë të ftuar, fotot e të cilës qarkulluan në çdo media.

Mbi dy dekada sëbashku, duket se dashuria e tyre me kalimin e kohës vetëm sa është forcuar.

“Jemi njohur që në gjimnaz, ishim konkurrentë, në klasa paralele. Gerti ishte më i miri i shkollës, shiheshim nga larg. Ai doli i pari, pastaj unë e para. Një një moment të caktuar se ça na ndodhi, thamë pse mos të futemi njëherë në skuadër në debat.

Ishin këto debatet që bënim me shkolla të tjera. Aty e kuptuam se po të ishim skuadër nuk na dilte njeri tjetër përpara. E krijuam dhe ja ku jemi sërish skuadër!”, shprehej Edlira para pak muajsh teksa rrëfente historinë e dashurisë së tyre.

Jo më larg se në Korrik të këtij viti ajo i dedikon fjalët më të bukura shokut të saj të jetës.

“Bota bëhet një vend më i bukur sa herë ti buzëqesh! Të dua tani dhe përgjithmonë, gjysma ime më e mirë”, shkruhej krahas një fotoje të çiftit, në ditëlindjen e 44-të të deputetit.

Për fëmijët, Bogdani thoshte se “kur vinte puna te ata, çdo gjë që bënte ose thoshte e mendonte dy herë.”

“Ata të dy janë shtysa e çdo gjëje që bëjmë sot dhe sfidave të sotshme. Kemi zgjedhur të rrijmë këtu dhe të luftojmë sepse duam të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për ta”, shprehej ai në një intervistë të para 4 muajve.