Gazetari Flogert Muça tha se ish-kryeministri Sali Berisha po këmbëngul në çdo deklaratë të tij për të mos e njohur drejtësinë e re.
Ai tha se Berisha po e përdor edhe rastin e Fredi Belerit si një kauzë kundër drejtësisë së re, pavarësisht se kjo gjë sipas gazetarit “djeg” Shqipërinë.
Sipas Muçës arsyeja e ish-kryeministrit për të mos njohur drejtësinë e re është se ajo mund të prekë familjen e tij biologjike dhe këtë gjë do ta shikojmë në dy tre muajt ne vijim.
“Ne dimë pak nga dosja e Belerit. Ne nuk e dimë se çfarë po bën sot Prokuroria, nuk e dimë se më kë mund të komunikojë Beleri jashtë, nuk e dimë nëse ai mund të prishë provat nëse del jashtë.
Në një pikë Sali Berisha është i sinqertë, në mosnjohjen e sistemit të ri të drejtësisë.
Ai përdor çdo lloj çështje të mundshme, edhe Fredi Belerin, duke i hedhur benzinë një zjarri që nuk djeg Edi Ramën, por Shqipërinë, pasi halli i doktorit është se nuk duhet të legjitimohet SPAK dhe drejtësia e re.
Ai e ka hallin te familja e tij, jo politike, por biologjike. Këtë do e shikojmë në dy apo tre muajt e ardhshëm. Edhe për aleatin e tij të ngushtë Ilir Metën”,-tha Flogert Muça në Euronews Albania.