Në një artikull të publikuar në HuffPost, gazetarja Amanda Moore hedh dritë mbi përfshirjen e njerëzve të afërt me Donald Trump në fushatën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili është i sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion. Edhe pse nuk lejohet që të udhëtojë drejt Uashingtonit, Berisha po merr ndihmë direkte nga strategë dhe këshilltarë të fushatave republikane në përpjekjet e tij për t’u rikthyer në pushtet.

Artikulli i plotë

Sali Berisha është shpallur non-grata nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të akuzave për korrupsion e për rrjedhojë nuk lejohet të udhëtojë drejt këtyre vendeve. Megjithatë, fushata e tij presidenciale po mbështetet nga disa prej aleatëve më të afërt të Donald Trumpit.

Një grup gjithnjë e më i madh personazhesh politike të lidhur me Trumpin po ndihmon në fushatën zgjedhore të një politikani shqiptar që është sanksionuar për korrupsion madhor. Sali Berisha, i cili ka quajtur fitoren e Trumpit një “mrekulli”, duket se ka angazhuar disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit në punë konsulence – ndërsa ekipi i tij lë të kuptohet se objektivi përfundimtar është heqja e sanksioneve.

Chris LaCivita, bashkëdrejtues i fushatës së Trump-it për vitin 2024, ishte në Shqipëri në muajin shkurt, si pjesë e një kontrate për të ndihmuar fushatën e Berishës – kandidat për kryeministër që ndodhet nën sanksione amerikane – siç raportoi “The New York Times”. Me të ishte edhe Paul Manafort, i dënuar më herët për mosregjistrim si agjent i huaj në vitin 2018. (Manafort u fal nga Trump në dhjetor të vitit 2020.)

Ndërsa afrohen zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, “HuffPost” ka mësuar se ekipi i LaCivita-s është zgjeruar, duke përfshirë sondazhierin e njohur Tony Fabrizio dhe bashkëpunëtorin e vjetër të Manafort-it, Phil Griffin. Për më tepër, përfaqësues nga organizata “American Conservative Union” – e cila organizon konferencën vjetore CPAC ( Konferenca Vjetore Kryesore e Konservatorëve Amerikanë) – janë takuar së fundmi me Berishën. Takimi rezultoi me planifikimin e një edicioni të CPAC Balkans në fund të prillit, që do të bashkë-organizohet nga partia e Berishës, sipas një postimi të tij në platformën X (dikur Twitter).

Kjo vjen pas përpjekjeve të administratës Trump për të zbutur ndikimin e ligjit mbi Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), duke i hapur rrugën pagesave të majme për lobistët që përfaqësojnë interesa të huaja, pa ndonjë mbikëqyrje domethënëse nga autoritetet amerikane. Regjistrimi në FARA mbetet në teori i detyrueshëm, por nuk ka më ndëshkime penale – ndryshe nga më parë, kur u përdorën për të ndjekur penalisht vetë Manafortin. Administrata gjithashtu ka shpërbërë Task Forcën për Ndikimin e Huaj, që hetonte rastet e lobimit të paregjistruar. Një kontroll në regjistrin e FARA-s të premten në mëngjes tregonte se asnjë nga të përfshirët në fushatën e Berishës nuk është regjistruar për të lobuar në emër të tij.

Berisha, kreu i Partisë Demokratike të djathtë në Shqipëri, është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar prej disa vitesh. Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë dhe familjen e tij “persona non grata” në maj të vitit 2021 për “përfshirje në korrupsion të rëndë”. Në korrik 2022, Mbretëria e Bashkuar e ndaloi hyrjen e tij në vend për “arsye kriminaliteti dhe korrupsioni”, duke deklaruar se prania e tij “nuk ishte në të mirë të publikut”. Në vjeshtën e kaluar, Berisha u akuzua zyrtarisht për korrupsion, lidhur me një skemë ku dhëndri i tij kishte përfituar leje ndërtimi për apartamente në Tiranë, nga të cilat dyshohet se ka përfituar miliona euro. Berisha u vendos në arrest shtëpie pasi refuzoi të respektonte masat e vendosura nga gjykata, duke deklaruar se është viktimë e përndjekjes politike.

Ai ka shprehur më herët shpresën se një administratë e re e Trump-it do të shfuqizonte sanksionet ndaj tij. Ditën e inaugurimit presidencial në SHBA, Berisha u tha mediave shqiptare se zgjedhja e Trump-it ishte një “mrekulli” dhe se do t’i kërkonte të hiqte vendimin që e shpallte atë “non grata”.

Në një intervistë të dhënë më 27 janar, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, u pyet nëse Trump do të hiqte sanksionet ndaj Berishës. Në deklaratën e dhënë për “HuffPost”, ajo u përgjigj: “Sanksionet ndaj zotit Berisha, unë besoj – ashtu siç e shoh – do të hiqen. Do të hiqen, por jo vetëm për z. Berisha; do të hiqen si bllok. Do të përfshijnë edhe persona të tjerë.”

Por më 5 shkurt, sipas një raportimi në “Albanian Times”, Berisha deklaroi në një konferencë për shtyp se nuk kishte më shpresë që Trump do të ndërhynte për të hequr ndalimin e tij të udhëtimit. Ai këmbënguli se nuk kishte ndërmarrë asnjë përpjekje lobimi për të dalë nga lista e personave të padëshiruar.

Më 10 shkurt, LaCivita dhe Manafort mbërritën në Shqipëri për t’u takuar me ekipin e fushatës së Berishës. LaCivita deklaroi për “The New York Times” se nuk ishte aty për të lobuar, por vetëm për të ofruar këshillim për fushatën.

Po atë ditë, Belind Këlliçi, një drejtues i Partisë Demokratike, ndau një transmetim të drejtpërdrejtë të konferencës me LaCivitan, duke shkruar: “Përshëndetje të gjithë atyre që shqetësohen për sanksionin.”

Rreth një javë më vonë, “Euronews Albania” publikoi një video ku thuhej se drejtues të Partisë Demokratike sugjeronin se ndikimi i LaCivitas mbi Trumpin do të ndihmonte në heqjen e sanksioneve.

Në janar, “The New York Times” raportoi se LaCivita, Manafort dhe Fabrizio po kërkonin kontrata konsulence me parti të djathta në vende të ndryshme.

Muajin e kaluar, një politikan shqiptar konservator dhe aleat i ngushtë i Berishës publikoi një video me LaCivitan në Uashington, në platformën Threads. Ai pretendoi se kishte zhvilluar një takim me LaCivita-n dhe Griffin-in, dhe publikoi një foto me ta në Facebook. Ai tha se të dy po punonin me Fabrizion. Megjithëse kjo nuk u raportua në mediat amerikane, media shqiptare raportoi për përfshirjen e Fabrizio-s që në shkurt.

Fabrizio ka një histori të gjatë bashkëpunimi me Manafortin. Para se të ftohej në fushatën e Trumpit më 2016, firma e tij kishte punuar për Manafortin në Ukrainë gjatë viteve 2012–2013. Ai ishte gjithashtu pronari i fshehur i një kompanie që mori rreth 19 milionë dollarë nga një “super PAC” ( komitet politik në SHBA që mund të mbledhë dhe shpenzojë fonde pa kufizime për të ndikuar zgjedhjet, por pa bashkëpunuar drejtpërdrejt me kandidatët) që Manaforti ndihmoi të ngrinte gjatë fushatës së 2016-ës.

Pas zgjedhjeve të 2024-ës, Fabrizio dhe LaCivita u angazhuan si këshilltarë të lartë për “Building America’s Future”, një organizatë e financuar nga Elon Musk.

Griffin ka një bashkëpunim shumëvjeçar me Manafortin, që prej vitit 2004, kur punonte në firmën “Davis Manafort Partners”. Ai ka qenë përgjegjës për klientët ukrainas dhe rekrutoi më pas Konstantin Kilimnik – i cili u bë njeriu i besuar i Manafortit në Ukrainë. Sipas një raporti të vitit 2020 nga Komisioni i Inteligjencës i Senatit Amerikan, Kilimnik shërbeu “si kanal komunikimi me shërbimet ruse të inteligjencës, të cilat me shumë gjasë kërkuan të përfitonin nga qasja e Manafort-it për të nxjerrë informacion mbi fushatën elektorale”.

Griffin është aktualisht në Shqipëri, në kuadër të përgatitjes së nisjes zyrtare të fushatës së Partisë Demokratike, e planifikuar për të premten në mbrëmje. Më herët gjatë javës, Garo postoi një foto me Griffin-in dhe Alfred Lela-n, drejtorin e komunikimit për shtyp të partisë. Në shkurt, “Washington Examiner” botoi një artikull të Lelës ku i bënte thirrje Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të rishqyrtonte sanksionet ndaj Berishës. (Lela ka jetuar në Boston në vitet 2000 dhe në biografinë e tij thuhet se është shtetas amerikan.)

Së fundmi, Këlliçi ka pretenduar se sanksionet ndaj Berishës janë hequr. Ky pretendim duket i pabazë, dhe as Partia Demokratike e Shqipërisë dhe as Departamenti Amerikan i Shtetit nuk janë përgjigjur për të konfirmuar nëse sanksionet janë ende në fuqi.

Pavarësisht deklaratës së Berishës se CPAC Balkans do të mbahet këtë muaj, aktiviteti ende nuk ka një faqe funksionale në internet dhe nuk ofron informacion për datat. CPAC ka synuar të mbajë evente në vende me qeveri të djathta që përputhen me vijën e Trump-it. Një konferencë e bashkë-organizuar me partinë e Berishës do të përbënte një mbështetje të heshtur për kandidaturën e tij. I pyetur për takimin me Berishën dhe nëse ngjarja do të zhvillohet sipas planit, një zëdhënës i CPAC tha: “CPAC po zhvillon takime me liderë në të gjithë botën dhe planifikon të zgjerohet në më shumë vende gjatë vitit. Ne po synojmë një CPAC në Ballkan si një thirrje për politika të arsyeshme dhe një sfidë ndaj globalistëve.”

LaCivita, Fabrizio, Manafort, Griffin dhe Berisha nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.

Por të enjten në mbrëmje, LaCivita postoi dy herë në X për Shqipërinë. Në një postim me një video të një bufi, ai shkroi: “Kush është ‘bufi’ dhe kush është miu …#Albania”

Ky koment lidhet me debatin mes Berishës dhe kryeministrit Edi Rama. Rama e ka quajtur Berishën “buf kënete”, dhe ky i fundit e ka përqafuar nofkën, duke sjellë një statujë bufi në konferencën për shtyp. Rama gjithashtu ka shprehur simpati për Trumpin dhe ka lidhur kontrata me dhëndrin e tij, Jared Kushner. Të dyja partitë – ajo e Berishës dhe ajo e Ramës – janë hetuar nga SPAK-u, struktura shqiptare kundër korrupsionit, e mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Që nga ardhja në pushtet e Trumpit, SPAK-u dhe ambasada amerikane nuk kanë dhënë shumë informacion mbi këtë bashkëpunim, dhe disa raportime në Shqipëri kanë sugjeruar se përfaqësuesit amerikanë të përfshirë në këtë program janë larguar për një periudhë të shkurtër nga vendi.

Në një tjetër postim, LaCivita ndau një artikull që e përshkruante si “sherifin që është kthyer në qytet”. Artikulli ishte botuar në një faqe informative që i përket djalit të Berishës.

Ekipi i Berishës ka njoftuar se LaCivita do të jetë i pranishëm në nisjen zyrtare të fushatës. Mediat shqiptare e kanë transmetuar mbërritjen e tij në vend të premten në mëngjes.