Mijëra palestinezë të zhvendosur po shkojnë drejt veriut sot, duke përmbytur autostradën përgjatë bregdetit të Gazës , ndërsa përpiqen të kthehen në shtëpitë e tyre të braktisura, në këmbë, me makinë ose me karrocë, me armëpushimin midis Izraelit dhe grupit islamist palestinez Hamas që po tregon shenja se po respektohet.
Trupat izraelite u tërhoqën sipas fazës së parë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-të, të arritur këtë javë, për t’i dhënë fund luftës që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shndërruar pjesën më të madhe të enklavës palestineze në rrënoja.
“Jemi shumë, shumë të lumtur që lufta ka mbaruar dhe vuajtjet tona kanë mbaruar.”
Numërimi mbrapsht për kthimin e pengjeve
Sapo forcat izraelite përfunduan ripozicionimin e tyre dje, duke mbetur jashtë zonave kryesore urbane, por ende nën kontroll të pothuajse 50% të enklavës, ora filloi të numëronte mbrapsht që Hamasi të lironte pengjet e tij brenda 72 orëve.
“Jemi shumë të emocionuar, po presim djalin tonë dhe të gjithë 48 pengjet”, tha Hagai Angrest, djali i të cilit është midis 20 pengjeve izraelite që besohet se janë gjallë. “Po presim që të na telefonojnë.”
Njëzet e gjashtë pengje janë shpallur të vdekur dhe fati i dy të tjerëve mbetet i panjohur.
Sipas marrëveshjes, pasi të dorëzohen pengjet, Izraeli do të lirojë 250 palestinezë që vuajnë dënime afatgjata në burgjet e tij dhe 1,700 të burgosur të kapur gjatë luftës.
Qindra kamionë në ditë pritet të mbërrijnë në Gaza duke transportuar ushqime dhe ndihma mjekësore, sipas kushteve të marrëveshjes.
Trump pritet të udhëtojë për në Izrael dhe Egjipt
Megjithatë, pyetja mbetet nëse armëpushimi dhe marrëveshja e shkëmbimit të pengjeve, hapi më i madh drejt përfundimit të luftës dyvjeçare, do të çojnë në një paqe të qëndrueshme, siç parashikohet në planin 20-pikësh të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund armiqësive.
Shumë gjëra mund të shkojnë keq. Duhet të arrihet një marrëveshje për hapat e mëtejshëm në planin 20-pikësh të Trump. Këto përfshijnë çështje të tilla si mënyra se si do të qeveriset Rripi i shkatërruar i Gazës kur të përfundojë lufta dhe fati përfundimtar i Hamasit, i cili ka hedhur poshtë kërkesat e Izraelit për çarmatosje.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump u shfaq i bindur se armëpushimi do të respektohej, duke thënë: “Të gjithë janë të lodhur nga luftimet.” Ai tha gjithashtu se besonte se kishte një “konsensus” mbi hapat e mëtejshëm, por pranoi se disa detaje do të duheshin të përpunoheshin.
Izraelitët dhe palestinezët shprehën gëzimin e tyre pas njoftimit të marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare, gjatë së cilës u vranë më shumë se 67,000 palestinezë, shumica e të cilëve civilë, dhe për kthimin e pengjeve të fundit të marra nga Hamasi gjatë sulmit vdekjeprurës që e provokoi atë.
Në sulmin e udhëhequr nga Hamasi ndaj komuniteteve izraelite, bazave ushtarake dhe një festivali muzikor më 7 tetor 2023, anëtarët e tij vranë 1,200 njerëz, shumica prej tyre civilë, dhe morën peng 251.
Trump pritet të vizitojë rajonin të hënën dhe të mbajë një fjalim në Knesset, parlamentin izraelit, presidenti i parë amerikan që e bën këtë që nga George W. Bush në vitin 2008.
Kreu i shtetit amerikan ka thënë gjithashtu se do të udhëtojë për në Egjipt dhe se pritet të marrin pjesë edhe udhëheqës të tjerë të huaj./kohajuaj
