Një ekip i Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, së bashku me gra dhe vajza të Forcave të Armatosura të Shqipërisë organizuan në Tiranë Forumin “Sfidat e sigurisë në Europë-Gratë, paqja dhe siguria”. Synimi i këtij aktiviteti që mbahet edhe me rastin e festës së gruas është fuqizimi i rolit të grave ushtarake, si pjesë e Forcave të Armatosura. Në forumin, që shërbeu edhe si një trajnim për gratë ushtarake për çështje që lidhen me sigurinë e paqen, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, falënderoi Gardën Kombëtare të Nju Xhersit. Z.Peleshi theksoi përparimin që është bërë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë duke hequr kufizimin e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në ushtri.

“Sfidat e sigurisë janë bërë më të mprehta, për më tepër për një rajon si rajoni ynë i Ballkanit Perëndimor, i cili është një rajon ende i brishtë. Kemi një direktivë të OKB për barazinë gjinore, mbi të cilën në 2022-shin ne hartuam edhe Planin e barazisë gjinore në çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjen për një periudhë 10-vjeçare. Ne kemi bërë një progres të rëndësishëm në aspektin e dokumenteve, sepse deri në 2022-shin ne kemi pasur një kufizim që tanimë duket absurd dhe i tillë ka qenë, pra në Forcat e Armatosura nuk duhet të kishte më shumë se 15 % gra. Tani ky kufizim është hequr. Në planin tonë nuk ka kufizim. Kemi rritje të konsiderueshme të pjesëmarrjes në FA, rritje të titullimit të oficereve të reja, të rritjes së numrit të grave e vajzave në sektorët shumë prioritarë siç është siguria kibernetike, ku 50% janë gra dhe vajza”, u shpreh ministri Peleshi.

E pranishme në forum ishte edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e cila e vlerësoi Shqipërinë si aleate të denjë të SHBA-së.

“Për ne, për SHBA-në, është një parim i qartë. Ne duam të jemi bashkë me vendet e tjera që besojnë si ne, që fëmijët tanë duhet të jetojnë në një botë të lirë, të hapur, të sigurt dhe që përparon. Dhe për ne nuk ka një aleat më të mirë sesa Shqipëria. Ne jemi krenarë t’ju kemi aleatë në NATO. Ne jemi krenarë të shohim përparimin tuaj në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”, u shpreh ambasadorja Kim. Duke kujtuar thënien e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skërnderbeu “Bashkimi bën fuqinë”, ambasadorja tha se Shqipëria dhe SHBA-ja duhet të qëndrojnë së bashku dhe ky është një komponent kyç në përballimin e sfidave të sigurisë në të gjithë botën.

Ndërsa Komandantja e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, Gjeneral Brigade, Lisa Hou, foli për sfidat e sigurisë në Europë që vijnë jo vetëm për shkak të luftës në Ukrainë. Sipas saj, shumë shtete po përballen sot me sfida në sigurinë kibernetike, ndaj edhe vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit mes të gjitha vendeve të NATO-s./ CNA.al