Eurodeputeti Fredi Beleri, ish-kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë, ka komentuar edhe ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë, që pritet të hyjë në një fazë shumë më rigoroze.
Sipas Belerit dhe në përvojën e tij të shkurtër në PE, nuk ka në të vërtetë ndonjë mbështetje të madhe në BE për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin ai thotë se e ka propaganduar këtë mbështetje inekzistente.
“Pas marrjes së statusit kandidat në vitin 2014, nuk ka bërë ndonjë hap të rëndësishëm drejt afrimit në Bashkimin Europian. Duke kontrolluar shumicën e mediave në Shqipëri, propagandon sikur ka njerëz që e mbështesin në BE. Për fat të keq ai që e pengon Shqipërinë është zoti Rama. Të gjitha shtetet që aspirojnë dhe duhet të bëhen pjesë e BE, parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, duhet të jenë të panegociueshme.
Do isha shumë i lumtur që shumë shpejt Shqipëria të ulej në tryezën e negociatave. Por duhen hapa konkretë. Për Shqipërinë janë të qarta kërkesat që për të hapur protokollet e para kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, respektimin e të drejtave të minoritetit. Kur të hapen negociatat të jeni të sigurtë që këto gjëra do jenë të padiskutueshme. Nuk kam informacion nëse negociatat me Shqipërinë, do hapen në vjeshtë, por dua që të hapen”, tha ai.
Ai ka deklaruar se do ta vazhdojë procesin deri në Strasburg.