Teksa priten rezultatet zyrtare të zgjedhjeve europiane në Greqi, minoriteti grek në Himarë ka nisur festën, pasi Fredi Beleri me shumë gjasë do të jetë deputet në parlamentin e ri europian.
Edhe pse ndodhet pas hekurave në burgun e Fierit, ku vuan dënimin e drejtësisë shqiptare për shitblerje votash, Beleri duket se ka shpërblyer besimin e kryeministrit helene Kyriakos Mitsotakis, pasi me 2473 vota renditet si i treti më i votuar në radhët e “Demokracisë së Re”.
Me shpalljen e 7 emrave fitues paraprakë nga Ministria e Brendshme greke, kamera e televizionit Open u lidh direkt me Himarën, ku duket se ka nisur festa nga familja e Belerit dhe përfaqësues të minoritetit grek.
Bashkëpunëtorët e Belerit thanë për median greke se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës do të japë sot një mesazh nga burgu, ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule tha se e sotmja është një natë e madhe gëzimi për qytetin.
“Ka siguri që Fredi do të jetë eurodeputet. Është një natë e madhe për Himarën. Ky është një shfajësim i Belerit, për betejat e përjetshme të gjithë helenizmit. Historia është shkruar me shkronja të arta”, u shpreh ai.
Lidhur me daljen nga burgu të Belerit, në rast se duhet të jetë i pranishëm në Parlamentin Europian për t’u betuar, nuk ekziston nevoja për një procedurë për betim sa i përket eurodeputetëve.
Gjithsesi, më 16 korrik do të zhvillohet një takim, ku Beleri do të ketë nevojë për leje të posaçme për të marrë pjesë.