Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut i ka konsideruar deklaratat e Kryeminsitrit Edi Rama për kandidatin e Bashkisë së Himarës Fredi Beleri si polarizim ekstrem të klimës parazgjedhore në këtë bashki.  Përmes një deklarata PBDNJ thotë se bëhet fjalë për një retorikë agresive, ndaj edhe kërkohet prani më intensive e misionit vëzhgues ndërkombëtar për shmangien e fenomeneve të proceseve të kaluara zgjedhore.

“Kryeministri i vendit z. Edi Rama në turin e tij të fundjavës së kaluar si edhe në daljet e tij në mjetet e informimit publik recidon në pozicione të rrezikshme për proceset demokratike dhe në veçanti për sigurimin e klimës së nevojshme për realizimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor.

Duke marr parasysh rrethanat e posaçme dhe përvojën e zgjedhjeve të kaluara në veçanti i referohemi implikimit të tij me retorikë ektreme dhe shtrembërime të rrezikshme të realitetit përsa i përket kandidatit tonë në Bashkinë e Himarës.

Nevoja për të mbuluar ineficencën, që vetë e pohon, të autoriteteve vendore dhe politikave diskriminuese të qeverisë së tij për zonën, kumton përsëri direkt ose tërthorazi çështje me ngarkesë nacionaliste dhe raciste. Analoge ishin sjelljet e tij përsa i përket alternativave tona politiko-elektorale edhe në Gjirokastër e Sarandë”, thuhet në deklaratën e PBDNJ.

Partia e drejtuar nga Vangjel Dule, në aleancë me koalicionin Berisha-Meta, thotë në deklaratën e saj për mediat se i bën thirrje për vetëpërmbajtje Kryeministrit, ndërkaq që i kërkojnë mediat për të shmangur atë që e quajnë “amplifikimin e retorikës që nxit qëndrime irracionale”.

“I bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje Kryeministrit, ndërkaq që kërkojmë vëmendje të Mjeteve të Informacionit Publik për të shmangur amplifikimin e retorikës që nxit qëndrime iracionale.

Do të jetë e trishtueshme që pas aq përpjekjeve për të realizuar një proces zgjedhor të gjithëpranuar, duke u shërbyer interesave okulte të Kryeministrit dhe rrethit të tij, të kemi pranim të heshtur të imponimit të regjimit ndaj vullnetit të qytetarëve.

Faktori ndërkombëtar – OSBE/ODIHR, SHBA dhe BE posaçërisht – ftohen të mbajnë shënim devijimin e rrezikshëm që tentohet nga Qeveria për të kaluar në terrenin e ballafaqimit pseudopatriotik në vend të ballafaqimit të alternativave. Kërkojmë me këmbëngulje prani permanente në qendrat e votimit dhe KZAZ të Bashkisë Himarë dhe gjatë gjithë fazave të procesit për të shmangur përsëritjen e fenomeve të tjetërsimit total të vulletit të sovranit si në të shkuarën.

Retorika dhe në veçanti shtrembërimi i vullnetshëm i realitetit në përgjegjësi të Kryeministrit janë ogur dhe motivim për të implementuar skenar manipulimi me çfarëdo mjeti dhe mënyre të krimit elektoral në favor të kandidatëve të pushtetit”, vijon deklarata.