Në Shqipëri, ministria e Financave dhe shoqata e eksportuesve, arritën të enjten, një marrëveshje për ndërmarrjen e disa masave lehtësuese që synojnë zbutjen e efekteve të zhvlerësimit të euros kundrejt monedhës vendase. Eksportuesit janë ata që kanë ndjerë në mënyrë direkte pasojat e kursit të këmbimit duke qenë se të ardhurat e tyre janë në euro, ndërsa shpenzimet në lekë.

Presidenti i Qendrës së Eksporteve, Alban Zusi, vlerësoi pas takimit “masat emergjente nga ministria e Financave për të na dhënë minimalisht oksigjen për likuiditetet, sepse kjo krizë, përvecse ekonomike është dhe krizë likuiditetesh. Biznesve prodhuese prej dy muajsh u mungon 4 përqind e xhiros në likuiditet. Nuk ka biznes që mban 4 përqind të xhiros, në cash, në llogaritë e tij”.

Palët kanë rënë dakort që të vijojnë me takime teknike ku do të përfshihet dhe Banka Qendrore apo dhe shoqata e bankave “për analizimin më tej të situatës, kryerjen e parashikimeve të përbashkëta për ndikimet që një zhvleftësim i metëjshëm i euros do të kishte në kompanitë eksportuese, dhe marrjen e masave te mëtejshme që do të ndikojnë në aftagjatë”, shpjegoi ministrja Brahimaj. Ajo shtoi se “disa masa të paraqitura nga shoqata e bankave lidhen me krijimin e mundësive për të patur më shumë likuiditet, siç mund të jetë ristrukturimi i kredive me qëllim që maturiteti të rritet dhe kostot e bizneseve të ulen të paktën në aftashkurtër”.

Forcimi i monedhës vendase ka nisur që vitin e kaluar, por në javët e fundit, kjo tendencë u përshpejtua dhe leku arriti të vlerësohej ndaj euros, në nivele që nuk ishin rregjistruar më parë./VOA