Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në një intervistë në Abc news foli për vendimin e daljes me një listë të pjesshme për zgjedhjet e 14 majit dhe ndarjen njehërë e përgjithmonë të PD nga Berisha.

“Unë kam qenë për të dalë me 61. Disa prej kandidatëve tanë që në fillim e morën përsipër, panë një realitet aspak moral, ndaj edhe u tërhoqën.

Është anormale, që kandidatët tanë u ndodhën jo vetëm përballë me pushtetin, po u sulmuan nga pas kurrizit edhe nga “Foltorja”.

14 kandidatët e mbetur mund t’i quajmë dhe qendrestarë. Sepse një situatë të tillë patën edhe ata”, tha Alibeaj.

Por a do të mbajë përgjegjësi vetë Alibeaj për rezultatin e zgjedhjeve në 14 bashki ku garohet me logon e PD-së?

“Pas zgjedhjeve, PD do t’i futet një procesi riorganizim dhe renovimi të saj, duke ruajtur vlerat e perëndimit, vlerat reale dhe ato të gjenezës , sigurisht që ky është proces do fillojë pas 14 majit.

Po qe për përgjegjësi, unë e them që tani: Ndodhi që më 25 mars, menjëherë pas dorëheqjen së Bashës, isha unë që të merrja përispër drejtimin e PD. Ka qenë një situatë që kemi qenë nën agresion. Në ato kohë kishte një vendim të blerë në fakt të gjykatës, që Zhukri, ia dha në favor të Berishës.

Morëm partinë në një situatë, ku agresioni i Berishës mbi PD ishte më i madh se kurrë, ndërsa sot që flasim, Sali Berisha nuk ka asnjë lidhje me PD, edhe ligjërisht po të doni ju, edhe kjo është një meritë e vogël e imja dhe kolegëve të mi, që e ruajtëm PD”, shtoi Alibeaj.