Shqipëria ka siguruar një biletë për Europianin që do të luhet në Gjermani, ndërsa përballja e sotme ndaj Ishujve Faroe, barazim ose fitore, konsolidon vendin e parë në Grupin E.
Shqipëria e drejtuar nga braziliani Sylvinho ka dhuruar spektakël në fushën e lojës, ndërsa tifozët e kanë mbështetur skuadrën në çdo ndeshje.
Sylvinho arriti të krijojë një skuadër të konsoliduar që arriti të mposhtë ekipe me emër të madh si Polonia apo Çekia, por jo vetëm kaq. Skuadra kuqezi renditet sot ndër ekipet me mbrojtjen më të mirë duke pësuar vetëm 4 gola në 7 takime e luajtura, por asnjë gol në Air Albania.
Suksesi i arritur që me barazimin në Moldavi e ka kthyer ndeshjen e sotme në Tiranë, më shumë në një festë, se sa në një përballje reale, aq më tepër kur në “Air Albania” luan ekipi më i dobët i grupit E, Ishujt Faroe.
Tifozët e kombëtares kanë përgatitur me detaje festën, e cila ka nisur disa orë përpara nisjes së takimit në rrugët e kryeqytetit me këngë e mesazhe patriotike.
Por surpriza do të jetë flamuri gjigand që do të shpaloset në “Air Albania”. Do të jetë një flamur i ngjashëm nga përmasat me atë që u shpalos në atë ndeshjen historike ndaj Greqisë, e cila pasi u shpall kampione Europe, humbi në Tiranë 1-2 përballë kombëtares, në vitin 2004.
“Epo është zyrtare flamuri i madh shqiptar do të prezantohet nga fansat ashtu si ai një herë kundër Greqisë mezi presim”, thuhet në postimin e tifozëve.
Shqipëria ka grumbulluar 14 pikë deri më tani dhe me një fitore eventuale, mbyll kualifikueset me 17 pikë, një shifër record për pikët e grumbulluara nga kuqezinjtë gjatë fazës kualifikuese.