Nga 4 prilli, Finlanda do të jetë anëtarja më e re, e 31-ta, e NATO-s. Ceremonia e pranimit pritet të zhvillohet sot në orën 15:30 në Bruksel.

Aplikimi për anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake është nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022.

Finlanda ndan një kufi të gjatë, prej mbi 1.000 kilometrash, me Rusinë.

Çdo zgjerim i NATO-s duhet të bëhet me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare – pra ratifikimin e aplikimit për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe, por Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran.

Më saktë, Ankaraja dëshironte që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, si dhe ndaj një grupi tjetër të cilin e fajëson për përpjekjen e vitit 2016 për grusht shteti.

Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.

Erdogan tha se anëtarësimi i Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore do të varet drejtpërdrejt në masat që ndërmerr sa i përket kërkesave turke lidhur me terrorizmin.

Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimimin e Stokholmit në NATO, edhe për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016./REL