Pak ditë para sfidës mes Serbisë dhe Shqipërisë, në Leskovc (11 tetor), Federata e Futbollit e Serbisë ka marrë një dënim të rëndë nga FIFA.
Ky dënim vjen pas incidenteve të ndodhura në përballjen Serbi-Angli më 9 shtator 2025 në stadiumin “Rajko Mitić”, ku u raportuan probleme serioze të rendit dhe sigurisë, përdorim i lazerëve, fyerje dhe gjeste të papërshtatshme, pengesa gjatë intonimit të himneve kombëtare dhe sjellje diskriminuese nga një pjesë e tifozëve.
Në bazë të vendimit, për ndeshjen kundër Shqipërisë do të mbyllet të paktën 20% e tribunave, kryesisht sektorët pas portave. Megjithatë, FIFA ka lënë hapësirë që vendet e bllokuara të mund të plotësohen me kategori të veçanta, si familje, nxënës ose organizata që luftojnë diskriminimin, gjithmonë me miratim paraprak. Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar edhe financiarisht. Stadiumi në Leskovc ka kapacitet prej 8136 vendesh, por për këtë takim do të lejohen vetëm 80 për qind e tyre.
Federata serbe është e detyruar t’i dorëzojë FIFA-s planin e organizimit të stadiumit të paktën 10 ditë para ndeshjes, duke përfshirë edhe masa konkrete kundër diskriminimit, si mesazhe sensibilizuese apo pankarta për barazi.
“FSS do të zbatojë në tërësi vendimin dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen”, thuhet në komunikatën zyrtare të federatës. /Koha Jonë/