Kombëtarja shqiptare do të luajë këtë të premte një transfertë mjaft të vështirë. Më 11 tetor në “Epet Arena”, kuqezinjtë do të luajnë kundër Republikës Çeke, sfidë e vlefshme për Nations League.
Në këtë sfidë një “armë” shtesë për Kombëtaren tonë është Qazim Laçi, mesfushori i cili aktivizohet me Spartën e Pragës në Çeki. Është pikërisht mesfushori dibran që është shfaqur protagonist në një video të shpërndarë nga Federata Çeke e Futbollit.
Në një “VideoCall” me ish-shokun e tij te Sparta, Ladislav Krejçi që tashmë është pjesë e Girona në La Liga. Ky i fundit i thotë Laçit, “do t’ju shkatërrojmë”, ndërkohë dibrani ia kthen, “a je i sigurt”.
Pas kërcënimeve, gjithçka është mbyllur me fjalë të ëmbla, me lotjarët që i urojnë fat njëri-tjetrit për sfidën e së premtes mbrëma.