Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi ka komentuar situatën politike në vend. Në një intervistë ai paralajmëron se rasti i Arben Ahmetajt tregon se SPAK ka filluar të lëvizë. Sipas tij, dosjet si “Gërdeci”, “21 Janari”, afera e “CEZ-DIA” dhe privatizimi i ish-kompleksit “Partizani” pritet të hapen dhe Klosi zbulon se faktet janë aty, thjesht hapja e tyre do të ndodhë në kohën e duhur.
“Të djathtët me ato që kanë bërë faktet aty janë, kurse këta që janë në pushtet i kanë gjërat më të freskëta.
Për mua s’ka diferencim të majtë ose të djathtë, SPAK duhet që të bëjë punën e tij. E thashë në fillim faktet e tyre nuk ndryshojnë me, ne duhet ti nxisim që të përparojnë në punën e tyre.
Kështu që SPAK duhet të bëjë punën s’ka rëndësi i majtë apo i djathtë, rëndësi ka që të tjerët të mendohen më shumë për gabimet që do të bëjnë”, tha ai.
“Deri tani u ankuam që SPAK nuk po lëvizte, ose ishte i ngadalshëm, por me duket se po lëviz. SPAK heq koren e një problemi pasi është gjykata ajo që do vendos por ama nëse hiqet korja nuk vihet në lëvizje gjykata, kështu që SPAK ka një detyrë shumë të rëndësishme. Edhe sikur të gabojë e korrigjon gjykata. Rasti Ahmetajt tregon se SPAK ka filluar të lëviz”, tha Klosi, që komentoi edhe emërimin e Taulant Ballës, ministër i Brendshëm.
“Emërimi i Ballës ishte nevojë, duke qenë se iku ai tjetri dhe normalisht do vinte dikush në vend të tij. Sa i takon sekretarit mendoj se duke qenë se është shpallur kongresi në shtator tani janë pushimet më mirë të bëhet kongresi pa sekretariat është më objektive. Po edhe dy muaj janë, apo një muaj e gjysmë shumë pak kohë ka mbetur, nuk është se është ndonjë ngjarje e rëndësishme pse e shkriu sekretariatin, do zgjidhet sërish i riu”, tha Klosi.