Kompania e Brad Pitt, Plan B Entertainment ka nisur bisedimet për sezonin e dytë të serialit “Adolescence” që po korr sukses në Netflix.
Në një intervistë për Deadline, bashkëpresidentët e Plan B, Dede Gardner dhe Jeremy Kleiner thanë se janë në bisedime me regjisorin Philip Barantini për “vazhdimin” e serialit.
Gardner tha se po mendojnë sesi “të zgjerojnë hapjen, të ruajnë ADN-në e tij dhe mos të jenë përsëritës”, por nuk dëshiroi të zbulonte shumë nga planet e tyre. Kleiner shtoi se shpreson që Stephen Graham dhe Jack Thorne, të cilët shkruajtën skenarin, të ribashkohen në këtë projekt.
Këto bisedime me gjasë do të mirëpriten nga Netflix dhe miliona shikuesit që kanë parë serialin i cili ndjek historinë e 13-vjeçarit Jamie (Owen Cooper) i cili akuzohet për vrasjen me thikë të një moshatareje pas disa shkëmbimeve në rrjetet sociale.
“Adolescence” tani renditet në vendin e katërt të kategorisë “Most Popular” në Netflix pasi që prej 13 marsit që u publikua, numëron 114.5 milionë shikime.
Gardner dhe Kleiner u shprehën se janë mirënjohës për suksesin duke thënë se tregon që një “histori në dukje e vogël, e lokallizuar, prekëse” mund të prekë botën.
Stephen Graham dhe bashkëshortja e tij e cila është bashkëproducente, Hannah Walters, kanë nënkuptuar se mund të ketë një sezon të dytë, por asgjë s’është konfirmuar. “Me gjasë, le të shohim sesi janë shifrat”, tha ai për Variety e më pas shtoi: “Por po, ka një mundësi për të krijuar një histori tjetër”. Bashkëshortja e tij tha se do të ishte e lumtur të punonte me Netflix, por “është e vështirë” të vijosh suksesin e “Adolescence”.
Ndërkohë skenaristi tjetër, Jack Thorne dhe regjisori, Philip Barantini fillimisht nuk janë shprehur shumë pro idesë për vazhdimin e serialit pasi mendojnë që historia është e plotë.
