Donald Trump u përball me një krizë të re të mërkurën, pasi u raportua se emri i tij figuron në dosjet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë mbi Jeffrey Epstein dhe se Kongresi ka thirrur për të dëshmuar partneren në krim të abuzuesit seksual, Ghislaine Maxwell.

Zëdhënësi i presidentit amerikan mohoi një raport të gazetës Wall Street Journal, sipas të cilit Trump ishte informuar në maj nga Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, se emri i tij përmendet në dosjet tashmë famëkeqe të Epstein.

Duke cituar zyrtarë të lartë të administratës, gazeta tha se Trump u informua gjithashtu se edhe shumë figura të tjera me profil të lartë janë përmendur dhe se departamenti nuk ka në plan të publikojë më shumë dokumente që lidhen me hetimin.

Shtëpia e Bardhë kërkoi të minimizojë marrëdhënien mes Trump dhe Epstein. Zëdhënësi Steven Cheung tha në një deklaratë të dërguar me email: “E vërteta është se Presidenti e përzuri atë nga klubi i tij (Mar-a-Lago) sepse ishte i neveritshëm. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një vazhdim i historive të rreme të shpikura nga demokratët dhe media liberale.” 

Javën e kaluar, Trump ngriti një padi për shpifje prej 10 miliardë dollarësh kundër Wall Street Journal dhe pronarit të saj, Rupert Murdoch, për një artikull që fliste për një letër me përmbajtje seksuale nënshkruar me emrin e Trump, e cila ndodhej në një album të vitit 2003 për ditëlindjen e Epstein. Presidenti ka mohuar se e ka shkruar atë letër dhe që prej asaj kohe ka paditur Journal-in.

Më pas, Shtëpia e Bardhë ndaloi një prej gazetarëve të Wall Street Journal që të udhëtonte me Air Force One në një udhëtim të ardhshëm në Skoci.

Departamenti i Drejtësisë konkludoi në fillim të këtij muaji se nuk kishte baza për të vazhduar hetimin mbi Epstein, gjë që shkaktoi një reagim të ashpër nga mbështetësit e Trump, të cilët prej kohësh e kanë parë këtë si një fshehje të krimeve të Epstein dhe lidhjeve të tij në nivele të larta.

Kjo ka ushqyer gjithashtu spekulime mbi miqësinë 15-vjeçare të Trump me Epstein. Në qershor, Elon Musk, një mik i kthyer në armik i presidentit, shkroi në Twitter se Trump është “në dosjet e Epstein”. 

Journal raportoi të mërkurën: “Kur zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë shqyrtuan atë që Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi e quajti një ‘ngarkesë kamioni’ me dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein në fillim të këtij viti, ata zbuluan se emri i Donald Trump përmendej disa herë.” 

Bondi dhe zëvendësi i saj, Todd Blanche, thanë në një deklaratë: “Asgjë në këto dosje nuk justifikonte një hetim apo ndjekje të mëtejshme penale, dhe kemi paraqitur një kërkesë në gjykatë për të çelur transkriptet e fshehta të jurisë së madhe. Si pjesë e informimit tonë të zakonshëm, ia kemi bërë të ditur Presidentit gjetjet.” 

Kjo ndodhi pak pasi një gjykatës federal në Floridën Jugore refuzoi kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të çelur transkriptet e jurisë së madhe që lidhen me Epstein, vendimi i parë në një sërë përpjekjesh nga administrata e Trump për të publikuar më shumë informacion mbi këtë çështje.

Kërkesa buronte nga hetimet federale mbi Epstein në vitet 2005 dhe 2007, sipas dokumenteve të gjykatës. Gjykatësja federale Robin Rosenberg konstatoi se kërkesa e Departamentit të Drejtësisë në Florida nuk përmbushtte asnjë nga përjashtimet ndaj rregullave që kërkojnë mbajtjen sekrete të materialeve të jurisë së madhe.

Departamenti i Drejtësisë ka kërkesa të hapura për të zbuluar transkriptet në një gjykatë federale në Manhattan që lidhen me aktakuzat e mëvonshme ndaj Epstein dhe ish-bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell.

Në vitin 2008, Epstein arriti një marrëveshje me prokurorët federalë në Florida që i lejoi të shmangte akuzat më të rënda federale dhe, në vend të tyre, të pranonte fajësinë për akuzat shtetërore për sigurimin e një personi nën moshën 18 vjeç për prostitucion dhe nxitje për prostitucion.

Financieri i pasur më vonë u arrestua në vitin 2019 për akuza federale për trafik seksual. Ish-e dashura e tij, Ghislaine Maxwell, u akuzua për ndihmën që i kishte dhënë për të abuzuar me vajza adoleshente.

Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg federal në qytetin e Nju Jorkut rreth një muaj pasi u arrestua. Hetuesit konkluduan se ai kreu vetëvrasje. Maxwell më vonë u shpall fajtore në gjyq dhe u dënua me 20 vjet burg.

Departamenti i Drejtësisë u ka kërkuar avokatëve të Maxwell nëse ajo do të ishte e gatshme të fliste me prokurorët, dhe Blanche tha të martën se ai priste të takohej me të në ditët në vijim.

Demokratët dhe rreth një duzinë republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve (Kongresin Amerikan) po kërkojnë gjithashtu përgjigje. Të mërkurën, komiteti i fuqishëm i mbikëqyrjes së Dhomës votoi me 8 pro dhe 2 kundër për të thirrur me fletëthirrje Departamentin e Drejtësisë që të publikojë dosjet që lidhen me Epstein-in, me tre republikanë që iu bashkuan të gjithë demokratëve. Ata gjithashtu thirrën Maxwell-in për të dëshmuar në Institutin Federal të Korrigjimit në Tallahassee, Florida, më 11 gusht.

Kryetari i komitetit, James Comer, shkroi në një letër shoqëruese të fletëthirrjes për Maxwell: “Ndërkohë që Departamenti i Drejtësisë ndërmerr përpjekje për të zbuluar dhe bërë publike informacione shtesë që lidhen me çështjet tuaja dhe ato të zotit Epstein, është thelbësore që Kongresi të ushtrojë mbikëqyrje mbi zbatimin e ligjeve federale për trafikimin seksual në përgjithësi, dhe në veçanti për mënyrën se si është trajtuar hetimi dhe ndjekja penale e juaja dhe e zotit Epstein. 

“Në veçanti, Komiteti kërkon dëshminë tuaj për të ndihmuar në shqyrtimin e zgjidhjeve të mundshme legjislative për të përmirësuar përpjekjet federale për të luftuar trafikimin seksual dhe për të reformuar përdorimin e marrëveshjeve për mos-ndjekje penale dhe/ose marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në hetimet për krime seksuale.” 

The Guardian