Deputeti i PS Erion Braçe i ftuar në “Studio Live” në Report TV ka deklaruar se roli i Sali Bershës në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani tregon se ka shkelur shtetin me këmbë. Sipas Braçes Prokuroria nuk ka goditur individin me këtë hetim siç pretendon Berisha,por kapjen e shtetit. Aferën e privatizimit të ish-kompleksit Braçe e ka quajtur kapjen më të madhe të shtetit që mund të ketë ndodhur ndonjëherë pas Gërdecit.

“Bujar Leskaj ka qenë kundër kthimit të pronës. Dashnor Sula është i njëjti deputet që ka mbajtur qëndrim për ligjin e sportit , ka thënë jam kundër. Këta më habisin me qëndrimin e sotëm. Ka akoma hije të zeza te kjo dosja e kësaj lagjeje.

Po ta shohësh procesverbalin, unë dhe Majko e kemi pyetur disa herë Berishën dhe refuzonte të na përgjigjej. Ore e mori pronari por çfarë do të ndodhë me truallin? S’na u përgjigj. E kam pyetur disa herë. Ishte i vetëdijshëm për atë që do ndodhte…

Prokuroria nuk ka goditur individ me këtë hetim por kapjen e shtetit. Ka pasur shume akuza për inceneratorët, janë thënë dhe të pavërteta. Por të ndryshosh 7-8 ligje në harkun e dy viteve është kapja më e madhe e shtetit që mund të ketë ndodhur ndonjëherë pas Gërdecit. Ta ndryshosh ligjin e sportit sa vjen në pushtet një vit pasi vjen në pushtet dhe po përsëri tre vite… Kjo tregon se roli i këtij njeriu në këtë aferë e ka shkelur shtetin me këmbë në favor të interesave të veta personale”, tha ai.