Turqia do të bëjë përpjekje për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar, spitalet dhe shkollat në Rripin e Gazës nëse arrihet armëpushim, citohet të ketë thënë më 18 nëntor presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Nëse arrihet armëpushim, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të kompensuar shkatërrimin e shkaktuar nga Izraeli”, u tha Erdogan gazetarëve që gjendeshin në avionin me të cilin lideri turk po kthehej nga Gjermania.

Izraeli deri më tani ka refuzuar thirrjet për armëpushim, duke thënë se do të vazhdojë operacionet ushtarake në Rripin e Gazës deri sa të shkatërrojë Hamasin – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe të lirojë pengjet e marra nga Hamasi.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit. Sulmuesit e Hamasit vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbyen 240 të tjerë.