Në emisioni Review në Euronews Albania u analizua vrasja mafioze e biznesmenit në Lezhë, Ardian Nikulaj.
I ftuar në studio eksperti i sigurisë Fatjon Softa, tha se tre pistat e ngrituara, si ajo e gjakmarrjes, konflikteve në biznes, apo ajo politike, janë të treja të mundshme.
Ai shtoi se duhet të merren tabulatet e viktimës dhe të analizohen me detaje, pasi nuk mund të ndodhë një ekzekutim i tillë nëse nuk ka patur më herët qoftë edhe një kërcënim.
“Ngritja e pistave vjen nga identiteti i personit, nga aktivitetet që ai ka kryer dhe çfarë e rrethon atë në jetën e tij në punë dhe në aktivitetin politik. Janë tre pista, për të cilat nuk mund të them cila pistë mund të jetë parësore. Pyetja shtrohet nëse është një hakmarrje, kjo është një histori e gjatë dhe nuk lindi tani. Pse ndodhi tani, gjatë një fushate elektorale.
Një mundësi është dhe pista politike, por një mundësi tjetër mund të jenë dhe konfliktet që mund të ketë pasur në Aluizëm, kur drejtonte. Në hetim duhet të merren tabulatet, personat që ai ka komunikuar, pasi mund të shohim përmes tyre nëse ai ka pasur presione, sepse nuk lind si rrufe në qiell të hapur, papritur kjo ngjarje. Nuk vjen dikush të ekzekutojë në atë formë nëse nuk ka pasur paralajmërim apo kërcënim”, tha Softa.