Durrësi ka nisur zyrtarisht sezonin e kroçerave turistike edhe për këtë vit kalendarik. Mëngjesin e kësaj të hëne është ankoruar në Portin e Durrësit “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë.
Për të disatin vit radhazi është pikërisht “La Belle De L’Adriatique”, që hap siparin e sezonit turistik për kroçerat, të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.
Turistët e huaj, gjatë qëndrimit njëditor në Durrës, ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës.
Anijet turistike dhe jahtet po përfshijnë gjithnjë e më shumë vendin tonë në agjendat e tyre, duke e kthyer në një prej destinacioneve të preferuara.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, 23 kroçiera kanë konfirmuar ndalesën e tyre në Durrës, shkruan ATSh.
Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijeve dhe sigurinë e turistëve në territorin portual, duke vënë kalatat portuale në funksion të tyre përgjatë gjithë sezonit.
Në përfundim të vizitës së saj në Durrës, kroçera “La Belle de L’Adriatique” do të niset drejt Portit të Barit, Mal i Zi për të vijuar eksplorimin e siteve turistike në brigjet e Mesdheut.