Biznesi i paligjshëm i nxjerrjes së gurit në malin e Tomorrit ka degraduar peizazhin e parkut kombëtar dhe vazhdon i pashqetësuar, ndërsa autorët i shmangen dënimeve penale dhe sanksioneve administrative.
Alma Spathara, drejtuesja e një biznesi guide turistike, është e detyruar ta shmangë pjesën juglindore të malit të Tomorrit, pasi nuk i vjen mirë t’u tregojë turistëve shpatet e gërryera nga aktiviteti i guroreve.
“Ne e shmangim, sepse duket sikur ka shpërthyer bomba atomike,” tha ajo.
“Vetëm kur mbulohet nga bora i çojmë turistët që duan të shohin teqenë nga ajo anë, përmes rrugës automobilistike,” shtoi Spathara, e cila gjatë pjesës tjetër të vitit zgjedh shtegun verior të Tomorrit me natyrë të egër, që kalon përmes Qafë-Dardhës.
Ngjitja nëpërmjet rrugës automobilistike në malin e Tomorrit zgjat rreth 1 orë. Në lartësinë 1100 metër, në të dy anët e rrugës gjarpëruese, shfaqen shpatet e gërryera të malit dhe grumbujt e gurëve që kanë mbetur pas.
Pamja monotone e sipërfaqes së shfrytëzuar nga guroret vazhdon për disa minuta ngjitje me makinë. Zona që banorët e quajnë “Rrasat e Novajt”, e cila ndodhet pranë “Gjurmës së Abaz Aliut” – një nga stacionet e pelegrinëve që vizitojnë “malin e shenjtë”, është e gjitha e gërmuar dhe e dëmtuar.
Të mërkurën e tretë të janarit, moti ishte i vrenjtur dhe në karriera nuk kishte punëtorë apo makina, por gjurmët e rrotave ishin të dallueshme.
E gjithë zona e shkatërruar është përfshirë në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit që prej shtatorit 2019. Si e tillë, në të ndalohet aktiviteti gurnxjerrës, por megjithë përpjekjet e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Beratit, aktiviteti nuk ka ndaluar plotësisht edhe pse, siç thonë burime nga AdZM, ai nuk zhvillohet me ritmet e dikurshme.
AdZM Berat ka bërë vazhdimisht denoncime të personave të kapur duke nxjerrë apo transportuar pllaka guri gëlqeror. Megjithatë, të dhënat nga Prokuroria dhe Gjykata e Beratit tregojnë se asnjë prej tyre nuk është dënuar deri tani për veprën e “dëmtimit të Habitateve në Zonat e Mbrojtura”.
Në shumicën e rasteve, Prokuroria ka vendosur pushimin ose mosfillimin e çështjeve, sepse sipas tyre, nuk janë gjetur vepra penale. Si argument, prokurorët sjellin ligjin që parashikon vepër penale në rastet e dëmtimit të rëndë të habitatit, gjë që sipas ekspertëve mjedisorë nuk ka ndodhur.
Ata vlerësojnë se sasitë e kapura nuk mund të shkaktojnë dëmtim të rëndë, aq më tepër në një zonë tërësisht të dëmtuar. Për ndëshkimin e autorëve mbeten vetëm masat administrative, por nga informacioni i mbledhur, rezulton se në periudhën 2019-2022 për aktivitetin e nxjerrjes së pllakave të gurit në Tomorr, është vendosur vetëm një gjobë për një subjekt që operonte në zonën e Novajt.
Veç ndalimit të aktivitetit shfrytëzues, përfshirja në park kombëtar parashikon edhe hartimin e një plani menaxhimi për sipërfaqen e zgjeruar, por Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, AKZM, ka informuar BIRN se skica e këtij plani nuk është miratuar nga ministri.
Asnjë masë rehabilituese nuk ka nisur të merret në këtë zonë të Parkut Kombëtar të Tomorrit. Më shumë se tre vjet nga vendimi, AKZM i tha BIRN përmes një përgjigje me shkrim se kjo sipërfaqe do jetë në fokus për t’u rehabilituar “në të ardhmen”.
Zona e pambrojtur e Tomorrit
Lufta mes institucioneve mjedisore dhe nxjerrësve të gurit në malin e Tomorrit vazhdon ende, ndonëse ligjërisht duhet të kishte përfunduar. Disa beteja të mëparshme kanë pasur fitues herë njërën palë dhe herë tjetrën.
Mali i Tomorrit është shpallur park kombëtar në vitin 1996 dhe është zgjeruar më pas në vitet 2012, 2019 dhe 2022, duke arritur nga 4 mijë hektarë në 27.158.5 hektarë.
Sipërfaqja e shtuar bën pjesë në zonën e përdorimit tradicional, ku zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes. Në bazë të ligjit “Për zonat e mbrojtura”, në to nuk lejohet shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive dhe mënyra që shkaktojnë dëmtime në biodiversitet, në ekosisteme dhe as nxjerrja e mineraleve apo gurëve.
Sipas AKZM, vendimi i zgjerimit është mbështetur në një analizë të hollësishme, duke marrë në konsideratë vlerat e këtij parku – pjesë e rrjetit EMERALD (Zonat me interes të veçantë për Mbrojtje të Evropës). Parku Kombëtar “Mali i Tomorrit”, sipas AKZM, dallohet për një larmi të jashtëzakonshme të florës dhe faunës, me 22 lloje floristike të rëndësishme, 5 nga të cilat me mbrojtje ndërkombëtare dhe 18 lloje endemike.
Përpjekja e parë për të përfshirë në park kombëtar sipërfaqen e dëmtuar nga aktiviteti njëzetvjeçar i guroreve u bë në vitin 2018, kur Këshilli i Ministrave vendosi ta zgjeronte parkun me 1383 hektarë. Vendimi u kundërshtua nga 13 subjektet gurënxjerrës që operonin me leje të rregullta shfrytëzimi dhe mjedisore, pavarësisht që disa prej tyre ndodhte të punonin jashtë zonës ku u lejohej.
Gjykata Administrative e Apelit vendosi më 15 korrik 2019 shfuqizimin e VKM-së së 2018-ës, duke përmendur ndër arsyet se Ministria e Mjedisit dhe Këshilli i Ministrave nuk kishin kryer konsultime me komunitetin e zonës, pronarët privatë dhe grupet e interesit.
Ish-ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, e quajti të padrejtë vendimin dhe tha se gjyqtarët do të përballeshin me “vetingun”. Dy muaj pas shfuqizimit të vendimit nga gjykata, qeveria vendosi për herë të dytë, në shtator 2019, për ta zgjeruar Parkun e Tomorrit me 1383 hektarë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, në dhjetor të atij viti revokoi lejet minerare për të gjitha subjektet private që ushtronin aktivitet minerar në Malin e Tomorit. Kishin mbetur 7 të tilla me leje aktive, sepse 6 të tjerave nuk u ishte rinovuar. Ndërkohë, tre prej këtyre subjekteve, gjatë betejave me institucionet, arritën të merrnin mbrojtje apo siç njihet në terma juridikë “sigurim padie”, duke bllokuar lëvizjet e mëtejshme të organeve publike. Nga pesë gjyqtarët e trupës gjykuese që rrëzuan VKM-në e vitit 2018, vetëm një nga anëtarët e kaloi vetingun, ndërsa një tjetër dha dorëheqjen, pa u përballur me procesin.
Megjithatë, aktiviteti i nxjerrjes së gurit në zonën e mbrojtur të Parkut të Tomorrit vazhdon duke i nxjerrë të pafuqishme institucionet për ta ndaluar plotësisht këtë veprimtari.
“Gjatë periudhës 2019-2021, nga disa subjekte janë kryer veprime të paligjshme duke hyrë brenda territorit të parkut për nxjerrje pllakash”, njofton AKZM, sipas së cilës gjatë monitorimeve të AdZM Berat nga shatori 2019 deri në tetor 2022, janë mbajtur gjithsej 76 procesverbale monitorimi.
Sipas ligjit, AdZM Berat që kryen funksionet e administratës së Parkut, ka vetëm rol kontrollues. Shkeljet ajo ia referon policisë, duke vijuar me kallëzime në prokurori.
Tre vitet e fundit, janë bërë 55 kallëzime për guroret në qarkun e Beratit, por në shumicën e rasteve, prokuroria vendos pushimin apo mosfillimin e çështjeve për veprën penale të “Dëmtimit të habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”. Në këto kushte, mundësia e ndëshkimit të autorëve mbeten masat administrative që ka të drejtë t’i marrë Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ose Agjencia Rajonale e Mjedisit, por shfrytëzuesit e malit të Tomorrit, nuk janë ndëshkuar as prej tyre.
ARM Berat i tha BIRN se në periudhën 2019-2022 është vendosur një gjobë nga ISHMPUT për një subjekt që nxirrte pllaka në Tomorr dhe janë marrë dy masa administrative, pa përcaktuar të ç’lloji, ndaj dy subjekteve që merreshin me aktivitetin e nxjerrjes së mineraleve, rërës dhe argjilës në këtë mal.
Ndërsa Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ai rajonal i janë përgjigjur BIRN se gjatë inspektimeve të kryera në Malin e Tomorrit, vitet e fundit nuk janë konstatuar shkelje.
Nuk i ka rezultuar kështu AdZM-së Berat, e cila gjatë kësaj periudhe ka njoftuar disa herë policinë, por IKMT justifikohet se “në mungesë të kërkesave për bashkëpunim, nuk ka pasur edhe urdhër pune për inspektim me qëllim evidentimin e shfrytëzimit pa kriter dhe në mënyrë të paligjshme në malin e Tomorrit”.
Drejtoria e Mjedisit të IKMT dhe drejtoria rajonale e këtij inspektoriati, e cila ka kryer 25 inspektime në periudhën 2020-22, i kanë thënë BIRN se “në malin e Tomorrit nuk ka karriera që ushtrojnë aktivitet, pasi Tomorri është një zonë e mbrojtur” dhe se “kjo zonë është e bllokuar nga policia e shtetit për ushtrimin e aktivitetit”.
Ndërkohë, çështjet e depozituara në Prokurorinë e Beratit tregojnë të kundërtën.
Prokuroria pushon çështjet
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat ka informuar BIRN se gjatë 3 viteve të fundit janë referuar 55 kallëzime përsa u përket subjekteve të guroreve që operojnë në këtë qark, 33 nga të cilat, deri në verën e vitit 2022, ishin ende në hetim.
Vepra penale “Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, ishte një nga akuzat kryesore për të cilat ishin hetuar këto subjekte, bashkë me veprën “Fshehje të ardhurash”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, apo “Punësim i paligjshëm”.
Nga dosjet që BIRN ka siguruar në bazë të ligjit “Për të drejtën e informimit”, vihet re se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për makina të ngarkuara me pllaka guri – karakteristike të Parkut Kombëtar të Tomorrit, të ndaluara pranë karrierave, ose duke zbritur nëpër rrugët malore në orët e mëngjesit, të mbrëmjes ose gjatë natës.
Personat e ndaluar, në shumicën e rasteve, thonë se pllakat i kanë gjetur anës rrugës dhe i kanë marrë për qëllime personale, si shtrimi i oborrit të shtëpisë apo rregullimi i çatisë së stanit. Ndërsa pronarët e subjekteve, ekskavatorët e të cilave janë gjendur pranë karrierave, kur veprimtaria e tyre ka qenë e ndaluar me ligj, janë justifikuar se mjetet kishin mbetur aty sepse ishin prishur dhe po prisnin nga jashtë pjesën e këmbimit.
Nga 19 raste kallëzimesh për “Dëmtim të habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” për të cilat Prokuroria e Beratit kishte dalë me një vendim, në kohën e marrjes së informacionit, vetëm në 2 raste çështja është dërguar në gjyq. Gjykata e Beratit, ende nuk ka dalë në një vendim për këto çështje.
Për sa u takon rasteve të tjera, në 10 raste prokurorët kanë vendosur ta pushojnë çështjen për këtë vepër penale dhe në 7 të tjera të mos e fillojnë hetimin e saj.
Sipas tyre, në rastet e shqyrtuara nuk ka pasur elementë të veprës penale “Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.
Në nenin 202/b të Kodit Penal ku parashikohet kjo vepër penale përcaktohet se dënohen me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet “veprimet që shkelin kërkesat e legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura apo të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente dhe që shkaktojnë dëmtim të rëndë të një habitati, që ndodhet brenda një zone të mbrojtur mjedisore”.
Por në akt-ekspertimin teknik të përgatitur nga inxhinierët mjedisorë, gjatë hetimeve, vlerësohet se veprimet e shtetasve në hetim “nuk kanë sjellë përkeqësim të rëndë të habitatit’ të zonës së mbrojtur, ose ndikimi në mjedis ka qenë “i papërfillshëm”, duke marrë parasysh që “kjo zonë është habitat i degraduar”.
Vëllimi i pllakave të ngarkuara në makinat e të ndaluarve ka qenë nga 1, 5 apo 7 metër kub, por në çdo rast, kjo sasi është konsideruar e pamjaftueshme për të përbërë vepër penale.
Megjithatë, edhe kur prokurori ka çmuar se vendimi duhet t’i dërgohet Agjencisë Rajonale të Mjedisit, pasi vepra mund të jetë subjekt i kundërvajtjeve administrative, siç mësojmë nga përgjigjet e ARM, as masa administrative nuk janë marrë. Kështu, subjektet apo individët vazhdojnë të marrin pllaka guri nga Parku Kombëtar i Malit të Tomorrit, duke iu shpëtuar masave të çdo lloji.
Ndërkohë, teknikët shprehen në akt-ekspertim se megjithëse ndikimi konkret është i papërfillshëm, “vazhdimësia në të ardhmen edhe pse në fragmente apo sipërfaqe të vogla, modeste, si kjo e trajtuar në këtë akt do përbënte një shumatore të frikshme, degraduese dhe të pariparueshme…”.
AKZM bën me dije se zona ku janë karrierat e nxjerrjes së pllakave dekorative të gurit gëlqeror në Novaj, është zonë e cila shërben si rrugë kalimi për kafshët e egra, veçanërisht është habitat për Thëllëzën e malit dhe Lepurin e egër, ndaj është domosdoshmëri, sipas saj, rehabilitimi sa më shpejt për të mundësuar qetësinë e duhur.
Por e njëjta AKZM pranon, në bisedë telefonike, se nuk ka fonde për ta rehabilituar dhe e gjithë pjesa e përfshirë në Parkun Kombëtar të Tomorrit në vitin 2019, mbetet e shkatërruar.
Kjo gjendje favorizon vazhdimin e aktivitetit të paligjshëm të nxjerrjes së gurit dhe dëmton biodiversitetin, ekosistemin dhe turizmin në Berat. “Jo vetëm që na shqetëson, por është skandaloze. Është shumë e dhimbshme që është në atë gjendje,” përfundon operatorja turistike, Alma Spathara./Reporter.al