Programi i BE, EU4Culture bëri me dije se është në përfundim të restaurimit të Kalasë së Bashtovës.

“Së shpejti do të mund të hyni brenda mureve të saj dhe të përjetoni historinë e pasur, legjendat dhe ngjarje interesante historike përmes tregimeve digjitale”, shkroi EU4Culture në rrjetet sociale.

E ndërtuar fillimisht në shekullin XV si një qendër tregtare veneciane dhe e përforcuar më vonë gjatë periudhës osmane, Kalaja e Bashtovës i ka rezistuar kohës.

Sot, falë programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, po restaurohen me kujdes muret, kullat dhe elementët mbrojtës të saj.

Aktualisht janë vendosur shënuesit informativë, instalimet dhe qendra e vizitorëve janë drejt përfundimit, ndaj shumë shpejt do të mund të vizitohet kjo pasuri e jashtëzakonshme kulturore.

Kalaja e Bashtovës është gjithashtu kandidate për t’u bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.