Juristi Kreshnik Spahiu i ka dhënë dje përgjigje pikëpyetjes që ngrihet se sa mund të zgjasë procesi gjyqësor ndaj kreut të PD-së Sali Berisha, i cili zyrtarisht është marrë i pandehur për aferën Partizani. Gjatë një prononcimi për mediat, Spahiu thotë se sipas tij procesi nuk do të jetë mbyllur deri në vitin 2027.

“Duhet të kemi parasysh që ky është proces penal ligjor i gjatë që do të thotë se ende dosja nuk ka shkuar në gjykatë. Nëse do t’i referohemi standardit, në gjykimin e shkallës së parë dhe deri tek Apeli, kjo çështje do të zgjasë gati 2 vjet. Nuk besoj se përpara 2027 të kemi një vendim. Do kemi disa muaj të tjerë për procesin gjyqësor.

Është një çështje e cila duhet marrë gradualisht dhe kjo as nuk e zbeh as nuk e forcon. Ky nuk është një realitet që ndodh vetëm me çështjen Berisha. Po mendoj për 21 Janarin”, deklaroi ai.

Po ashtu, Spahiu theksoi se s koha që ish-kryeministri Sali Berisha ka kaluar në masën arrest shtëpie do të përllogariten si vite burg nëse kreu i PD-së merr dënim nga gjykata. “Duhet të kemi parasysh që jo rastësisht është lënë Arresti shtëpiak. Ka dy skenar nga gjykata, skenari i parë është pafajësia dhe në rastin tjetër është fajësia. Në rastin e dënimin pra të dënohet fajtor. Vitet e arrestit shtëpiak llogariten si vite burgu. Po mundohem që në optikën time të tregoj se çfarë do të ndodh pas 3 vjetësh me këtë çështje që njerëzit mos të çuditen. Nuk përjashtohet që të ketë akuza të tjera apo çështje të tjera”, u shpreh ai.

Ndërkohë Spahiu tha se demokratët janë ish-pronarë tokash, por Berisha nuk ua ka kthyer siç bëri me dhëndrin e tij duke e privilegjuar.

“Çdo militant e di tani që Berisha nuk është i varfër, pra ai njeriu me një apartament. Tani të gjithë e dinë që ai i ka një familje të pasur, që ndërton kulla. Nga një tokë 2 mijë metra ndërton 18 pallate. Berisha i 2005-së ndryshon shumë nga ai i 2024. Madje slogani i 2005 ishte me duar të pastra. U rikthye në pushtet se besuan se ishte më i ndershëm nga Fatos Nano. Shumica e demokratëve janë ish-pronar dhe si kanë marr pronat e tyre. Pra Berisha ka qenë selektiv. A ka privilegjuar ai çdo pronar si ka bërë me dhëndrin e vetë? Nuk e ka bërë”, nënvizoi Spahiu.