Misteri i dosjes mjekësore tepër sekrete i një rëndësie të veçantë, në shqip dhe frëngjisht, e ish-numrit dy të regjimit komunist, që vdiq në Paris, më 23 shtator 1979
Nga Dashnor Kaloçi
Më 23 shtator të vitit 1979, 45 vite më parë, ndërroi jetë në një klinikë mjekësore të Parisit, Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PPSh-së, i cili që nga mesi i viteve ’50-të, (kur Enver Hoxha eliminoi fizikisht apo, burgosi e internoi disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë), konsiderohej figura nr. 2 e regjimit komunist, pas Enver Hoxhës. Hysni Kapo, apo “Besniku i Partisë”, siç i pëlqente Enverit ta quante në librat dhe veprat e tij, (kryesisht pas vdekjes) , në shtatorin e vitit 1979, ishte i shtruar për vizita e mjekime në klinikën e Parisit, shoqërohej nga Ramiz Alia, ndërsa një vit më parë, në periudhën tetor-dhjetor 1978, kur ai ishte po për vizita dhe mjekime në Paris, e shoqëronte Kadri Hazbiu. Vdekja e Hysni Kapos, ishte e dyta që ndodhte në radhët e udhëheqjes së lartë të PPSh-së, (pas asaj të Gogo Nushit në 1970-ën), dhe ajo vdekje është përfolur gjatë, madje që ato ditë, kur Vito Kapo, bashkëshortja e tij, i tha ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut: “…Na e vranë Hysninë…”?! Dhe Hazbiu aty për aty, iu përgjigj: “Pse më thua mua…, drejtoju atij”, – duke i bërë shenjë me dorë, nga vila e Enver Hoxhës.
Takimin që bëri me Vito Kapon, Enveri e ngriti dhe në një mbledhje të Byrosë Politike, duke u bërë me dije “shokëve të Byrosë”, “lidhur me fjalët që përhapte armiku për Hysninë, gjë të cilat fatkeqësisht, i merrnin si të mirëqena, edhe familjarët e tij, madje deri te shoqja Vito”! Po kështu, dyshime, apo rezerva, mbi vdekjen e Hysni Kapos, kanë hedhur edhe disa nga pjesëtarët e grupit të tij të shoqërimit, që gjendeshin në Paris. Dyshimet e tyre, ata i kanë dhënë me shkrim dhe me gojë, pranë grupit operativ special që kryesohej nga Zylyftar Ramizi, (Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht zv/ministër i Punëve të Brendshme në atë kohë), i cili u ngrit në vitin 1982, menjëherë pas arrestimit të “Grupit armiqësor” të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Si p.sh., Nexhip Pajo, shoqëruesi i Hysni Kapos, i cili në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, më datën 29 tetor 1982, midis të tjerash i shkruan: “Jam Nexhip Pajo, ish-oficer i Drejtorisë së Dytë të Ministrinë së Punëve të Brendshme, tani pensionist. Në vitin 1979, kur shoku Hysni Kapo ishte në Paris (Francë) për t’u kuruar, unë bëja pjesë në grupin e oficerëve shoqërues të tij.
Mbas vdekjes së tij, kur u kthyem që andej, unë kam informuar në Komitetin e Partisë së Ministrisë, ish-sekretarin e atij Komiteti, Bato Karafili, për disa të meta dhe veprime të dënueshme në drejtim të shërbimit ndaj udhëheqësit Hysni Kapo dhe familjes së tij, që ndodhej atje në Paris, nga ana e ish-zv/drejtorit të Drejtorisë së Dytë, për shërbimin tonë atje, Servet Backa, të Fejzo Bijos, zv/drejtorit të Drejtorisë së Pritjes, të Llambi Ziçishtit, përgjegjës për Shëndetësinë. Ditën e fundit të konkluzioneve që do të bënim në zyrën e Feçor Shehut, mua më ka marrë në telefon nga shtëpia e shokut Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, i cili më kishte kërkuar me urgjencë, duke lënë porosi të personeli i shtëpisë, që unë ta merrja në telefon. Me të më njoftuar, unë e mora Kadriun në telefon dhe ai menjëherë, m’u drejtua: “Dëgjo, sot ju keni atë mbledhjen e fundit, lidhur me shërbimin tuaj në Paris, prandaj ki kujdes dhe tregohu më i arsyeshëm dhe më me partishmëri, për ato që ke ngritur, sepse i ke fryrë shumë dhe në mënyrë tendencioze”.
Atëhere iu përgjigja po në telefon: – Nga i keni verifikuar këto, që nuk qenkan të vërteta? “Unë i di mirë këto, e njoh shumë mirë Servet Backën, se ai është komunist i ndershëm dhe i sprovuar dhe nga ana tjetër, ai i biri i botës (d.m.th., Serveti), është bërë si i çmendur dhe vjen e më qan në zyrë si fëmijë”, – m’u përgjigj ai. – Do të ishte mirë që ai të mos qante aty në zyrën tënde, por të qante atje në Paris, ku qanim të gjithë ne, për fatkeqësinë që na kishte gjetur, por ne atje qanim dhe pinim lot, ndërsa Servet Backa, Feçor Shehu, Fejzo Bijo dhe Llambi Ziçishti, pinin raki dhe hanin bërxolla”.
Të gjitha sa më sipër, (si dhe letra e Nexhpip Pajos që është botuar e plotë nga Memorie.al), apo të tjera dëshmi ku flitet apo bëhet e ditur mbi vdekjen e Hysni Kapos, janë të njohura nga dokumentet arkivore të ish-Komitetit Qendror të PPSh-së, (që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 14, aparati dhe organet drejtuese), të cilat janë botuar në shtyp, pas viteve ’90-të dhe ndër të vetmet gjëra që nuk janë bërë publike deri më sot, janë letra e Kadri Hazbiut drejtuar Enver Hoxhës, (25 faqe me makinë shkrimi), për shërbimin që kishte bërë në Paris pranë Hysni Kapos, si dhe dosja voluminoze me kartelën përkatëse mjekësore të Hysni Kapos, e konsideruar dhe cikluar, si; “Tepër sekret, e një rëndësia të veçantë” e cila fillon në 16 maj të vitit 1959 dhe mbyllet më 23 shtator 1979, ditën që ai vdiq.
Ndërsa letra e Kadri Hazbiut, dërguar Enver Hoxhës në janarin e vitit 1979, pas kthimit nga Franca bashkë me Hysni Kapon (në fund të saj, midis të tjerash ai ka shkruar: “Disa gjëra nga shërbimi im në Francë, me urdhër epror, nuk i kam pasqyruar në këtë raport-informacion…”!), thuhet se nuk gjendet në Arkivin e Shtetit, Memorie.al, ka siguruar dhe e disponon të plotë (në frëngjisht dhe në shqip), dosjen mjekësore të Hysni Kapos, të cilën po e publikojmë pjesërisht, në disa numra, bashkë me faksimilet përkatëse, ku ndodhen kartela dhe raporte mjekësore, nga mjekë shqiptarë dhe të huaj, shënime të ndryshme, epi-kriza, elektrokardiogram, rezultate dhe përgjigje analizash, konsulta mjekësh, etj., etj.
Po ashtu, aty ndodhen dhe shënimet e Enver Hoxhës, të cilat po i publikojmë bashkë me faksimilet dhe fotot përkatëse, që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, si ato të bërë në Paris, ashtu dhe ato të bëra në aeroportin e Rinasit, kur u soll arkivoli me trupin e tij, si dhe varrimin e tij, ku mori pjesë Enver Hoxha dhe e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së.
(Vijon nga numri kaluar)
RAPORT-INFORMACIONET E DREJTORIT TË POLIKLINIKËS SPECIALE, DR. PAVLLO MILO, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH, NË VITIN 1966, PËR GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS DHE REKOMANDIMIN PËR TA DËRGUAR NË NJË KLINIKË JASHTË SHTETIT
REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË
Tiranë, 30/VI/1966
POLIKLINIKA SPECIALE
“SEKRET”
Nr.11
Komiteti Qendror P.P. SHQIPËRISË
TIRANË
Komisioni mjekësor i mbledhur në datën 29/VI/1966, për shokun Hysni Kapo, konkludoi se; paraqet “Angiospazne – cerebrale”, për të cilën nevojitet një muaj pushim, dhe kontroll të vazhdueshëm mjekësor.
Pushimi të fillojë menjëherë.
DREJTORI
(Dr. Pavllo Milo)
REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË
Tiranë, 13/12/1966
POLIKLINIKA SPECIALE
“Tepër Sekret”
Nr.21
KOMITETI QENDROR P. P. SHQIPËRISË
TIRANË
Shoku Hysni Kapo, vuan prej disa vjetësh nga dhimbje koke dhe pagjumësi.
Në Qershor të vitit 1966, këto dhimbje qenë më të theksuara, për të cilën u mendua se kishim të bënim me një spazmë të artereve cerebrale, të shkaktuar nga lodhja e punës mendore.
Me gjithë mjekimin dhe pushimin e gjatë që bëri pacienti, dhimbjet e kokës i vazhdojnë.
Aktualisht nga ana objektive, shenjat neurologjike dhe elektrike, flasin për një proces më difus dhe më të theksuar, në krahasim me ekzaminimet e mëparshme.
Duke marrë parasysh evolucionin e shenjave objektive, e shohim të nevojshme që pacienti të studiohet në një klinikë neurologjike jashtë shtetit, për ekzaminime më të imta para-klinike, për përcaktimin e saktë të diagnozës dhe për mjekimin e nevojshëm.
KOMISIONI
(Prof. F. Hoxha) d.v., (Prof. Xh. Gjata) d.v., (Dr. B. Preza) d.v., (Dr. H. Shyti) d.v.
DREJTORI
(Dr. Pavllo Milo)
RAPORT-INFORMACIONET E DREJTORIT TË POLIKLINIKËS SPECIALE, DR. PAVLLO MILO, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH NË VITIN 1967, PËR GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS PAS VIZITËS NË PEKIN DHE REKOMANDIMET PËR TA KURUAR JASHTË SHTETIT
REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË
Tiranë, më 17/II/1967
POLIKLINIKA SPECIALE
“Tepër Sekret”
Nr. Extra
KOMITETI QENDROR P. P. SHQIPËRISË
TIRANË
Nga vizitimi që i u bësh Hysni Kapos në Pekin, rezulton se dhimbjet e kokës prej të cilave vuan, kanë lidhje me turbullime vazo-motore (origjinë neuro – vaskulare) dhe që rëndohen nga puna mendore e lodhshme.
Përveç kësaj nga analizat e plota që i u bënë, ka:
Diabetes melliuus, i stadit të mesëm i ekuilibruar.
Goutte (turbullime të metabolizmit të purinavet).
Arteriosklerozë e koronareve, me insuficiencë latante të qarkullimit koronar (arterevet të zemrës).
Hipertension arterial fillestar, lidhur me atero-sklerozë të përgjithësuar.
Osteoarthresis e vertebrës cervikale të 4-të.
Contracturë Dupuytren, në të dy duart.
I u rekomandua që:
Të bëjë regjim të rregullt jete dhe pune.
Të bëjë pushim dhe gjumë të mjaftueshëm pas punës.
Rekomandohet ushtrime fizike të moderuara.
Të evitojë shtimin në peshë, është e preferueshme që të humbasë rreth 2-3 kg.
Të evitojë ecjet e lodhshme, veçanërisht të përpjetat.
Të mbajë dietën e caktuar.
Të vazhdojë mjekimet që ka marrë deri më sot, për diabetin.
Për dhimbjet e kokës, të bëjë kurën me barnat kineze, të cilat janë dhënë më vete.
Për Komisionin
Drejtori (Dr. Pavllo Milo)
REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË
Tiranë, më 19/ IX/ 1967
POLIKLINIKA SPECIALE
“Tepër Sekret”
Nr.
SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR P.P.SH.
TIRANË
Lidhur me sëmundjen Dupyutre të duarve të shokut Hysni Kapo, rasti u diskutua me mjekë patolog dhe kirurgë dhe u arrit në këtë konkluzion:
Mjekimi konservativ me medikamente, nuk jep rezultat. Gjendja e duarve shkon duke u keqësuar. Operacioni duhet bërë në një moment të caktuar të sëmundjes dhe preferohet mosha që ka.
Për mjekimin kirurgjikal të kësaj sëmundje, kirurgët tanë nuk kanë asnjë eksperiencë. Prandaj për të përcaktuar gjendjen e tanishme, nevojën për ndërhyrje dhe kryerjen e operacionit, duhet konsultuar me një specialist, jashtë shtetit.
Nga literature që disponojmë në këtë drejtim, janë arritur rezultate të mira, në klinikën ku ka shërbyer Dr. Naro Iselin, në Paris. Atje ka edhe klinika të tjera.
Nga vende të tjera të botës, nuk disponojmë literaturë.
Ky operacion, nuk mund të kryhet në vendin tonë.
DREJTORI
(Dr. Pavllo Milo)
Shoku Hysni Kapo
Diagnoza:
Diabet i gradës së lartë.
Dhembje koke me karakter neuro – vascular.
Gur në sistemin urinar (në të kaluarën)
Hipertension i gradës së parë.
Angiopati retinale diabetike dhe mikroaneurizma.
Defekt refrakcion, presbiopi, turbullime korneal.
Ndryshim diabetik në nervat periferike.
Kontrakturë Dupuytren në dy duart.
Osteoartrozë cervikale.
Rekomandime: – të bëjë dietë të përshtatshme. Të koordinojë punën me pushimin. Të evitojë punën intensive mendore që vazhdon për një kohë të gjatë; do të ishte mirë që të mos punojë më tepër se gjashtë orë në ditë. Çdo ditë mbas të bëjë pushim. Përveç lejes së zakonshme vjetore të pushojë edhe dy javë në një kohë tjetër.
Të bëjë lëvizje të lehta fizike, shëtitje, punë të lehtë në kopsht, etj. Të evitojë lëvizjet e forta, ecjet në të përpjetë, dhe punën e rëndë fizike. Të bëjë një kontroll të përgjithshëm në vit. Të ekzaminohet sistemi kardiovaskular një herë në 3 ose 6 muaj duke përfshirë EKG, fundus okuli, analizën e kolesterolit.
Komisioni është dakord me kirurgët për planin e mjekimit të Dupuitren. Të mbajë në kontroll periodik peshën dhe është e këshillueshme që të arrijë në 75 kg.
Tiranë 22/IV/1968
Nga klinika
RAPORT–INFORMACION I VITIT 1970, I KOMISIONIT TË KLINIKËS SPECIALE TË KRYESUAR NGA MINISTRI I SHËNDETËSISË, DR. CIRIL PISTOLI, ME DIAGNOZAT PËR SËMUNDJET E HYSNI KAPOS DHE REKOMANDIMET PËR DIETËN E KURIMIN E TIJ
Shoku Hysni Kapo
Vuan nga:
Diabeti mellitus.
Hipertensioni arterial.
Cefale me origjinë arteriale.
Diatezë urike me kolika renale.
Insufiçencë koronare latent.
Neuropati diabetike.
I rekomanduhet:
Të respektojë dietën dhe të hajë në orar të caktuar.
Të punojë jo më shumë se gjashtë orë.
Të bëjë pushim çdo pas dite.
Të shëtisë një ose dy orë çdo ditë.
Pas çdo pune intensive të bëjë dy ditë pushim.
Të pushojë dy herë në vit nga dy javë, përveç pushimit.
Të zakonshëm:
Të mbajë në kontroll të përhershëm tensionin arterial.
Të bëjë një herë në çdo tre muaj një elektrokardiogram.
Një herë në çdo dy muaj gliceminë.
Një herë në javë analizën e urinës për glukozë.
Dy herë në vit fundusi okuli dhe vizitë mjekësore të përgjithshme.
KOMISIONI MJEKËSOR
Dr. Ciril Pistoli, Ministër i Shëndetësisë, Prof. Fejzi Hoxha, Prof. Xhavit Gjata, Dr. Pavllo Milo, Dr. Ylli Popa, Doc. Nikolla Shurbani, Dr. Hajro Shyti, Dr. Hektor Peçi. Memorie.al
Tiranë, 25 prill 1970
Memorie.al