Dosja e SPAK-ut për korrupsionin dhe pastrimin e parave të Jamarbër Malltezit me 17 kulla në pronën e tjetërsuar shtetërore ish Klubi Partizani, konfirmon edhe një herë se Union Bank shërben si lavatriçe e parave të pista të familjes Berisha.

Sipas dosjes, kompania Homeplan, e skuestruar me kërkesë të SPAK si aset kriminal, kishte zgjedhur Union Bank për të kaluar paratë e pista në llogari të Jamarbër Malltezit, i arrestuar për pastrim parash dhe korrupsion pasiv.

Homepaln dhe Malltezi kanë përdorur Union Bank për qindra transaksione parash të pista, më shënim kontribut patriotik (bakshish), kalim fondi dhe ndarje dividenti.

Drejtore e Përgjithshme e Union Bank është Flutura Veipi, e cila bazuar në dosjen e SPAK-ut për ish Klubin Partizani, ka zbatuar skemën e pastrimit të parave nga Jamarbër Malltezi.

Flutura Veipi njihet si e besuara dhe dora e zezë e ‘ujkut të vjetër’ të parave Edmond Leka, bashkëpronar i Union Bank.

Për shkak të pizicionit si drejtoreshë e bankës, Flutura Veipi kopsit dhe mbulon letrat e pastrimit të parave përmes bankës, për llogari të Edmond Lekës, duke ndarë interesat që burojnë nga veprimtaria kriminale.

Në maj të vitit 2023, Flutura Veipi u zgjodh anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave, duke iu bashkuar kartelit të pastrimit të parave, ku bëjnë pjesë ‘të famshmit’ turku i BKT-së Seyhan Pencabligil dhe Andi Andi Ballta, pronar i Abi Bank.

Edhe pse koka e pastrimit të parave nga Union Bank është Edmond Leka, kur i fundit paratë i ka qarkulluar dhe shpëlarë me duart e Flutura Veipit, e cila sipas ligjit është përgjegjëse për mbajtjen ‘ndezur të lavatriçes’ Union Bank.

Transaksionet

Vetëm gjatë periudhës gusht 2017 deri në dhjetor 2017, rezultojnë 80 transaksione përmes Union Bank.

Paratë janë ndarë shuma prej 7 mijë euro për çdo transaksion, me qëllim për të mos tërhequr vëmendjen e Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave.

Siç dihet, kur vlera kalon 10 milionë lekë të vjetra, bie automatikisht alarmi dhe nis verifikimi si detyrim ligjor.

Për të evituar rënien e alarmit, dhëndri i Berishës, Union Bank dhe kompani Homeplan ku është bashkëpronar, kanë përdorur si marifet ndarjen e fondeve në shuma 7 mijë euro.

Mbetet për t’u parë nëse Banka e Shqipërisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese do të marrin masa ndëshkuese ndaj Union Bank, me bashkëpronar Edmond Lekën.

Kalimin e fondit dhe ndarjen e dividentit, Jamarbër Malltezi nuk i ka deklaruar në IlDKPKI, siç edhe kishte detyrimin ligjor.

Union Bank në dosjen Fazlliçi

Ndërkaq, nuk është rastësi që familja Berisha ka përdorur Union Bank për lëvizjen e parave.

Union Bank mbuloi me para në formë kredie korrupsionin dhe pastrimin e parave të Damir Fazlliç dhe Familjes Berisha, me pronat në Porto Romano, që bliheshin me para cash nga Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi me 10 euro m2, duke ia shitur menjëherë kompanive të Fazlliçit me 18 euro m2, gjoja për të ndërtuar një park energjitik.

Fazlliçi mori kredi me vlerë mbi 5 milionë euro në banka, me kolateral të rremë dhe projekt biznesi fals. Ndau para dhe pastroi para me Argitën dhe Jamarbërin.

Nga ana tjetër Berisha kryeministër transformoi me vendim qeverie tokën e pavlerë kënetore në “park industrial” ku do të ndërtoheshin impiante të mëdha elektroenergjetike.

Toka në fjalë supozohej se do të përjetonte rritje të mëdha të vlerës, duke i siguruar pronarit të saj ndoshta dhjetëra milionë euro përfitime.

Me një “leje qeveritare” në xhep, Damir Fazlliç, nëpërmjet kompanisë së tij, Croën Acquisitions mori kredi në banka.

Dy elementë nuk janë anashkaluat deri më sot sa i takon aferës Fazlliç-Argita.

Së pari që skema u financua nga Union Bank e Edmond Lekës, edhe pse banka e dinte se kishte të bënte me një mashtrues dhe se kolaterali i Fazlliçit ishte vetëm në letra.

Por, Union Bank financoi aferën dhe mbuloi pastrimin e parave, me sa duket në këmbim të pastrimit të parave nga vetë banka pa u trazuar nga Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe prokuroria që kontrolloheshin nga Berisha.

Së dyti, Fazlliçi përfitoi 1.7 milionë euro nga skema e rimbursimit të TVSH. Pra, nuk mjaftuan paratë që mori te Union Bank, pastrimi i parave dhe korrupsioni, por mori edhe para nga buxheti i shtetit.

Raporti i zi i OSBE për Union Bank

Në vitin 2015, në media rrodhi një raport sekret i OSBE, me të dhëna tronditëse, rreth veprimtarisë kriminale të kupolës politike të Tiranës dhe disa biznesmenëve, të cilët shërbenin si tunel i politikës dhe krimit për dërgimin e parave të pista në Evropë dhe në parajsat fiskale, por edhe për dërgimin e patave nga vendet e drogës në Shqipëri.

Në raportin sekret thuhet se “Edmond Leka është Drejtor Ekzekutiv dhe pronar i “Union Bank”, përfaqësues i “Western Union” për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

Kompanitë e tij, dyshohet se kanë shërbyer për të transferuar shuma marramendëse parash, në shumë raste nga burime të paligjshme….”.

Edmond Leka përshkruhet në raportin e OSBE si njeriu që lëviz prej më shumë 20 viteve paratë e pista përmes “Western Union”, një kompani që merret me transfertat e parave nga Shqipëria në vendet e tjera dhe anasjelltas.

Gjatë këtyre viteve besohet se në ‘tunelin’ e Lekës kanë kaluar dhjetëra milionë euro para të pista, duke përfshirë edhe paratë e korrupsionit të politikanëve, krimit të organizuar, trafikantëve dhe ndoshta celulave terroriste.

Sipas raportit sekret, Leka u jep një pjesë të parave partive politike për fushata, dhe kështu më pas siguron mbrojtje të aktivitetit në fushën e lëvizjes së parave të pista.