Presidenti amerikan qartëson statusin e tarifave ndaj pajisjeve elektornike të importuara nga Kina. Përmes rrjeteve sociale, Donald Trump, paralajmëron se askush nuk do t’ia hedh paq për atë që i konsideron si pengesa dhe praktika të pabarabarta të tregtisë, veçanërisht Kina, vend për të cilin thotë se e trajton SHBA-në më keq nga të gjithë. Presidenti thekson se nuk pati asnjë përjashtim nga tarifat të njoftuara të premten.

“Tarifat do të jenë në fuqi në një të ardhme jo të largët, sepse siç e dini, siç bëmë me çelikun, siç bëmë me automobilat, siç bëmë me aluminin, të cilat tani janë plotësisht në fuqi, ne do ta bëjmë këtë me gjysmëpërçuesit, me çipat dhe shumë gjëra të tjera. Dhe kjo do të ndodhë në një të ardhme shumë të afërt.

Ne duam që të prodhojmë çipat tonë, gjysmëpërçuesit dhe gjëra të tjera në vendin tonë. Gjithashtu, unë do t’ju them se ne duam t’i prodhojmë barnat tona në këtë vend dhe prandaj do vendosim tarifa për kompanitë farmaceutike të huaja. Këtë po e bëjmë në mënyrë që në rast lufte, në rast të çdo gjëje, të mos mbështetemi tek Kina dhe vende të tjera të ndryshme për të na furnizuar me ilaçe”, tha Trump.

Të premten, SHBA përjashtoi disa produkte nga tarifa 145% për importet kineze, konkretisht lehtësoi masat për industrinë e smartfonëve dhe të laptopëve. Megjithatë Trump thotë se teknologjia kineze do të vazhdojë të jetë subjekt i tarifave 20%. Një tjetër çështje të nxehtë që preku kreu i Shtëpisë së Bardhë ishte dhe ajo e Ukrainës, duke e dënuar sulmin e fundit të Rusisë në Sumy si një gabim të tmerrshëm.

“Kjo është lufta e Bidenit. Kjo nuk është lufta ime. Unë kam qenë këtu për një periudhë shumë të shkurtër kohe. Kjo është një luftë që ishte nën Biden. Ai i dha atij miliarda e miliarda dollarë. Nuk duhet ta lejonte kurrë nëse do kishte tru, që nuk e kishte. Ai nuk duhej të kishte lejuar që ajo luftë të fillonte.

Ajo luftë nuk do të kishte ndodhur kurrë me mua. Por mbani mend këtë, kjo është lufta e Bidenit. Thjesht po përpiqem ta ndaloj në mënyrë që të shpëtojmë shumë jetë. Ata janë jetë ukrainase dhe ruse. Por gjithçka që dua të bëj është ta ndaloj atë”, shton Trump.

Ndër të tjera përmendi edhe rezultatet e kontrolleve mjekësore dhe testit të inteligjencës duke pohuar se ka dalë i shëndetshëm dhe i zgjuar.