Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shkaktoi reagime të ashpra të martën (14/10) kur kërcënoi të kërkonte heqjen e Bostonit nga qytetet pritëse të Kupës së Botës 2026, duke akuzuar kryebashkiaken Michelle Wu për “pasiguri” dhe një “axhendë radikale”.
Foxboro, Massachusetts, i cili ndodhet rreth 50 kilometra jashtë Bostonit dhe është shtëpia e stadiumit New England Patriots, është përzgjedhur nga FIFA si një nga njëmbëdhjetë qytetet në Shtetet e Bashkuara për të pritur ndeshjet e turneut kryesor të futbollit, i cili do të bashkëorganizohet me Kanadanë dhe Meksikën.
Trump, gjatë një paraqitjeje të përbashkët me presidentin argjentinas Javier Milley, komentoi se “mund t’i rikthejmë lojërat “, duke lënë të hapur mundësinë e kërkesës për përjashtimin e Bostonit nga axhenda e Kupës së Botës.
Edhe pse pranoi se biletat për lojërat janë shitur tashmë, ai nisi një sulm personal ndaj kryebashkiakes Wu, duke e quajtur atë një “të majtë të zgjuar, por radikale”.
Deklaratat vijnë disa ditë pas incidenteve në Boston Common, ku ndodhën arrestime dhe lëndime të oficerëve të policisë gjatë një demonstrate pro-palestineze.
Kryetarja e bashkisë së Bostonit nuk komentoi menjëherë deklaratat e Trump, por zyra e saj lëshoi një deklaratë duke theksuar se “Bostoni është i nderuar dhe i emocionuar që do të presë ndeshjet e Kupës së Botës”, duke shtuar se ajo mezi pret të mirëpresë tifozët nga e gjithë bota “në qytetin e kampionëve”.
Megjithatë, pavarësisht klimës negative nga ana e presidentit, vendimi për qytetet që do të presin ngjarjen i përket ekskluzivisht FIFA-s.
Orari me 104 ndeshje është miratuar që nga viti 2022, ndërsa çdo ndryshim i mundshëm do të shkaktonte pengesa ligjore dhe organizative, duke pasur parasysh se Kupa e Botës fillon më 11 qershor 2026, vetëm tetë muaj nga tani./kohajuaj
