I penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka dëshmuar sërish ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme, për disa nga ngjarjet e bujshme kriminale të ndodhura në Elbasan gjatë viteve të fundit.

Alibej ka thënë se për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kishte dhënë Nuredin Dumanit dy kallashnikovë dhe një pistoletë, sëbashku me makinën që do të përdorej në atentat.

Ai shtoi gjithashtu se në plan për t’u vrarë ishin Besmir Haxhia dhe Altin Ndoci, dhe jo Viktor Haxhia.

Sipas Alibejt, Viktor Haxhia u ngatërrua me Altin Ndocin. Ai tha më tej se pas vrasjes së dy vëllezërve u planifikua vrasja e Altin Ndocit në varrimin e tyre, gjë që sipas tij nuk ndodhi pasi ai nuk shkoi në varrim.

Pjesë nga dëshmia në GJKKO:

Alibej: Për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kam dhënë Nuredinit 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë mesa kujtoj, ça më kerkonte ja jepja. Armet ja dhash bashkë me makinën, plani ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, jo Viktorin. Doli shpejt ne tv lajmi që e mora vesh, që u gjet e braktisur Tojota. I thash Nuredinit pse kishte shenja gjaku në makinë.

Më tha kemi gjuajtur me xhama mbyll dhe nga ciflat është lënduar në këmbë “kusho”. Pastaj u shoqërua “nipi” në polici dhe Nuredini më tha “më duket se ky po flet” dhe sa mora vesh që e kishte marrë vesh nga komshinjtë, nga “Miri i Pojës” që Nuredini e kishte mik.

Alibej: Viktor Haxhia ka qenë rastësisht aty. Në makinë ka qenë dhe Altin Ndoci, por ka zbritur rrugës, se ai ishte objektiv, ata nuk e kan ditur që ishte Viktori në makinë, kanë menduar se është Altin Ndoci. Diskutoja me Nuredinin për varrimin e vëllezerve Haxhia, pasi mund ta ekzekutonin Altin Ndocin edhe ditën e varrimit. Unë isha pro, por nuk u arrit pasi ai nuk shkoi në varrim.

Alibej: Kam pasur edhe një mik në Kukës, Bujar Gërmizin. I thash Nuredinit se kishte nevojë për disa veshje si të OFL-së. Më tha po dhe nga Bujari mora disa veshje si te OFL-së, policisë dhe ja kam dhënë Nuredinit. Jelek dhe kambale, me mbishkrimin OFL, janë bërë në Kosovë veshjet. Unë i mora në Kukës.