Për Shpëtim Idrizin, grekët e dinë se arrestimi i Fredi Belerit është një çështje që i takon drejtësisë, por ata e zgjedhin këtë rast për të rikthyer tensionet e harruara prej vitesh në Himarë.

Ai tha se Fredi Beleri është një figurë, e cila ka “hije të mëdha në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Kryetari i PDIU-së theksoi se Beleri është akuzuar për masakrën e Peshkëpisë, në të cilën u vranë dy ushtarë shqiptarë, të cilët sot janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”.

Ai thotë se dosja ndaj tij është zhdukur nga arkivi i Gjykatës së Tiranës, dhe për këtë arsye, ai i kërkoi SPAK-ut të nisë hetimet për zbardhjen e rrethanave.

“Ata e dinë shumë mirë që është çështje e drejtësisë, por kjo është bërë për të rikthyer tensionet e harruara në Himarë. Duhet shumë mirë se për më shumë se dhjetë vjetësh, Himara nuk ishte në hartën e tensioneve mes dy vendeve.

Himara nuk është një zonë minoritare. Prej shumë vitesh ishin harruar këto skena, dhe pikërisht këtu duhet theksuar fakti se rikthimi i Himarës në zonë me tensione nuk ka ardhur sot, por ka disa vite që janë rikthyer tensionet në Himarë. Beleri është personi që është akuzuar për maskrën e Peshkëpisë, ku janë vrarë dy ushtarë, që sot janë dëshmorë të atdheut.

Dosja e Belerit është zhdukur në Gjykatën e Tiranë. Këtij njeriu sot i është pushuar çështje, sepse drejtësia e Greqisë nuk i përgjigjet SPAK dhe së dyti, sepse në mënyrë të paprecedentë, në arkivin e Gjykatës së Tiranë është zhdukur dosja.

SPAK duhet të fillojë hetimet për zhdukjen e dosjes së Belerit në arkivin e Gjykatës së Tiranës. Kjo nuk është e rastësishme dhe kjo është shumë e rëndë. Për këtë arsye është zgjedhur Beleri, për të rikthyer tensionet në Himarë”,  tha Idrizi.

Ai listoi edhe disa episode të tjera, të cilat sipas tij e bëjnë Belerin personin tipik, që është zgjedhur për rikthimin e tensioneve në Himarë. Kryetari i PDIU-së tha se duhet të reagojmë të gjithë, pasi nëse nuk reagojmë, kësaj situate, do t’ia shohim sherrin të gjithë.

“Është personi i dënuar nga gjykata e Vlorës për cenim të simboleve kombëtare. Ai jo më kot, në momentin kur është kandidat, shfaqet me flamurin e Vorio Epirit, është njeriu që flet se shqiptarët e kanë prejardhjen nga Kaukuazi, apo do luftojë për helenizmin në Himarë, apo siç thotë që duhet të lirohem se dua të mbrojë pronat greke.

Jo në mënyrë të rastësishme është zgjedhur me këtë profil. Kjo është bërë për të rikthyer konfliktet në Himarë. Këtij skenari, besoj për arsye të tjera se do ishte shumë e rëndë, iu bashkua edhe opozita shqiptare, e cila e kandidoi Belerin për kryebashkiak.

Nëse ne nuk reagojmë, ne do ia shohim sherrin rikthimit dhe tensioneve të paarsyeshëm dhe aspak racional në Himarë. Kjo protestë bëhet në kulmin e sezonit turistik, ku Shqipëria është bërë një atraksion dhe konkurruese edhe me vendet e rajonit. Kjo çështje sot është në dyer të drejtësisë dhe jemi të detyruar të presim, i cili do na çojë në një zgjidhje ligjore të këtij problemi”, shtoi ai.