Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko komentoi lëvizjet e fundit politike në vend, kryesisht ato në kampin opozitar.

Bejko e quajti kërkesën e Bardhit në Kuvend për të futur në grupin e PD Sali Berishën e përjashtuar tashmë, si një lëvizje djallëzore dhe imorale.

Ai theksoi se Bardhi me këtë veprim i vjen në interes klasës së vjetër politike duke zvogëluar fuqinë e SHBA-ve në Shqipëri.

Por Bejko tha se të gjithë ata që mbështesin këtë qasje do të ndryshojnë qëndrim kur ambasada t’i marrë në telefon dhe t’u kërkojë llogari.

“Lëvizja e Bardhit është lëvizje imorale pasi ka kapërcyer mbi vetveten. Por nga ana tjetër është lëvizje djallëzore pasi përmes këtij veprimi duan të zvogëlojnë fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Kjo u leverdis të gjithë klasës së vjetër politike, si Sali Berishës dhe Edi Ramës si dhe të gjithë atyre që mbështesin këta të dy.

Sepse duan t’u thonë shqiptarëve që “ne nuk pyesim shumë për këto fuqi madhore, gardiane të demokracisë Perëndimore dhe botërore, por ne vendosim vetë këtu dhe nuk pyesim askënd”.

Por e kanë gabim dhe do ta shikojnë siç e kemi parë dhe në të shkuarën se sa t’u bie një telefonatë nga “Rruga e Elbasanit” do bëhen si lepuj dhe do t’ia hedhin fajin njëri tjetrit, jo e kisha unë fajin, jo e kishe ti fajin”, tha Bejko.