Pas humbjes së thellë në zgjedhje dhe kontestimit të rezultatit të 11 majit, Partia Demokratike ka përdorur lobimin 6 mln dollarë për t’u ankuar në SHBA.
Sipas dokumentit që mban datën 16 maj, PD thotë se ka përgatitur një raport paraprak për manipulimin e zgjedhjeve siç ato e cilësojnë, ndërsa kompania lobuese Continental Strategy e ka dorëzuar pranë Departamentit të Drejtësisë në SHBA.
Në dokument, PD rendit të gjitha akuzat që prej ditësh i lakojnë në media për vjedhjen e zgjedhjeve, ndonëse nuk kanë publikuar asnjë provë edhe pse Berisha thotë se ka në duar mijëra dokumente që faktojnë farsën elektorale të 11 majit.
“Në një përpjekje të dëshpëruar për të siguruar një mandat të katërt radhazi, Kryeministri Edi Rama e përdori sistemin e drejtësisë si armë kundër opozitës.
Në muajt e fundit para zgjedhjeve, represioni politik u përshkallëzua, i shënuar nga gjyqe të motivuara politikisht, arrestime dhe burgosja e figurave të opozitës si Prof. Dr. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji dhe Fredi Beleri pa asnjë akuzë të provuar penale.
Deputetë dhe kryetarë bashkish nga opozita u burgosën ose u intimiduan në shkelje flagrante të të drejtave politike themelore dhe normave demokratike”, thuhet ndër të tjera në dokument.
Në fund të dokumentit, PD thotë se kërkon një hetim ndërkombëtar për zgjedhjet dhe formimin e një qeverie teknike për të votuar axhendën e integrimit në BE dhe për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.