Rezarta Caushaj-
Marrëveshja për strehimin e Muxhahedinëve në vendin tonë ka qënë mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara dhe për shkeljen e saj nga pala e të strehuarve mban përgjegjësi kjo e fundit.
Ambasada e SHBA-ve nuk ka shkruar e thënë një gërmë mbi përplasjet e sotme apo përse ato u bënë të nevojshme.
Gjithashtu, qeveria shqiptare ka dështuar të informojë publikun mbi këto shkelje apo nëse ato përbëjnë rrezik për sigurinë individuale apo kombëtare.
Aksioni i Policisë në Kampin MEK ka filluar rreth orës 4.30 të mëngjesit.
Dukshëm, policia nuk ka qënë e përgatitur për mësymjen dhe përmasat që ajo mund të merrte, duke patur parasysh numrin e madh të personave që duheshin shoqëruar.
Bilanci është plagosja e 23 personave brenda kampit dhe vdekja apo lëndimi i rëndë i njërit prej tyre.
Po rezervoj gjykim mbi faji në këtë pikë sepse ka shumë pak informacion e madje, pala shqiptare mohon të ketë viktima.
Por, Policia u detyrua të rrethonte për disa orë zonën, duke ndaluar edhe qarkullimin, pasi disa prej refugjatëve u arratisën.
Kjo e detyroi gjithë makinerinë e rendit në vend të zbarkonte aty, përfshirë edhe ushtrinë, e ma merr mendja edhe SHISH-in.
Duke u kthyer në shtëpi, vetëm mes orës 12.30-12.45 kam numëruar mbi 50 fugona e makina policie (Renea, Rrugore, e Burgut etj.), 7 ambulanca, disa autobus e makina të ushtrisë.
Personalisht, si banore e Manëzës, më intereson siguria e komunitetit të zonës e mandej, siguria kombëtare.
Qysh në krye të herës, para se të nënshkruhej marrëveshja, u paralajmërua se ky grupim mbetej politikisht aktiv, kishte qënë i dhunshëm, dhe kjo e mbante atë një shënjestër konstante të Iranit.
Duke i strehuar, nuk po përmbushej një nevojë humanitare, por po merrej përsipër një rrezik i madh.
Ne, jo vetëm i strehuam, por i vendosëm në pozicionin më strategjik të mundshëm (pak km larg portit e aeroportit), mes 2 qyteteve më të mëdhaja në vend.
Në Manëz flitet rëndom mbi faktin se pjestarët e MEK përdorin fshatar të zonës për të kryer transaksione, veçanërisht monetare.
E megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar që ata të ngrohin banorët e zonës, të cilët i konsiderojnë skutha.
Por, mos mendoni se kjo lidhet me paragjykimin.
Para se të vendoseshin në Manëz, ky grupim ishte shpallur terrorist, jo vetëm nga Irani, por edhe SHBA-ja e BE-ja.
Këta të fundit supozohet se i hoqën nga lista, para 10 vjetësh, në këmbim të premtimit se do të hiqnin dorë nga aktivitetet e tyre.
Por, për këdo që i ka ndjekur ndopak zhvillimet me iranianët shqiptar, këto aktivitete, jo vetëm që nuk kanë ndalur ndonjëherë, por për një kohë ato përfshinë edhe figura politike shqiptare (aman, kush i harron videot me Pandeli Majkon, Ministrin pa portofol për Diasporën).
Këto lëvizje e aktivitete që ne nuk i dijmë na kanë vënë në shënjestër të sulmeve kibernetike vitin e fundit, por para Pandemisë u përfol se shërbimet amerikane kishin dekonspiruar një goditje të kampit nga ana e Iranit.
Pra, shkeljet dhe abuzimet nga anëtarët e MEK nuk mund të trajtohen si shkelje të ligjit e të ndiqen nga SPAK.
Jo zotëri! Drejtohuni te qeveria shqiptare për shpjegime e madje, edhe tek aleati jonë që ka dhënë garanci.