Dhoma e Përfaqësuesve të shtetit të Teksasit votoi të shtunën për të nisur një proces shkarkimi për prokurorin e përgjithshëm të këtij shteti Ken Paxton, një aleat i ish-presidentit Donlad Trump. Prokurori Paxton është akuzuar nga kolegët e tij republikanë për abuzim me detyrën.

Në procesin e sotëm historik, Dhoma e Përfaqësuesve prej 149 anëtarësh votoi për ngritjen e akuzave ndaj zotit Paxton.

121 anëtarë votuan pro, 23 kundër, dy anëtarë nuk morën pjesë në votim ndërsa tre nuk ishin të pranishëm në votim.

Dhomën e Përfaqësuesve në Teksas kontrollohet nga republikanët, të cilat kanë 85 anëtarë kundrejt 64 anëtarëve demokratë.

Ndërsa zoti Paxton mori pak mbëshetje në Dhomën e Përfaqësuesve, ndoshta mesazhi më i fortë mbështetës i erdhi nga ish-presidenti Trump, përmes platformës ‘Truth Social’.

Para votimit, zoti Trump u zotua se do të “luftonte” republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve në shtetin e Teksasit nëse ndaj tij do të niste një proces shkarkimi.

Komisioni i Përgjithshëm i Hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve i dërgoi Dhomës së Përfaqësuesve dokumentet për 20 akuza ndaj zotit Paxton.

Shumica e dokumentave kanë të bëjnë me lidhjet e zotit Paxton me një donator të pasur politik, kryerjen e një hetimi kundër disa ish-ndihmësve të tij, të cilët i kishte pushuar nga puna, si edhe mashtrime lidhur me letrat me vlerë.

Pas votimit të së shtunës, zoti Paxton lëshoi një deklaratë në Twitter duke i quajtur procedurat “të paligjshme, joetike dhe thellësisht të padrejta”. Ai i ka mohuar akuzat për shpërdorim detyre.

Zoti Paxton do të pezullohet përkohësisht nga detyra në pritje të një gjyqi në Senat, ku bashkëshortja e tij, Angela Paxton, është senatore./ VOA