Dhjetë persona do të paraqiten në gjykatë në Paris me akuzat për ngacmim online të Brigitte Macron. Sipas aktakuzës, të përfshirët morën pjesë në një fushatë urrejtjeje bazuar në pretendimin e rremë se gruaja e presidentit francez nuk është grua, por një burrë i quajtur Jean-Michel Tronier.

Gjyqi vjen pas një padie të ngritur nga çifti presidencial në Shtetet e Bashkuara korrikun e kaluar kundër atyre që përhapën ose përforcuan narrativën shpifëse. Në qendër është podkasterja amerikane Candace Owens , e cila dyshohet se përsëriti publikisht “shpifjet e verifikueshme të rreme dhe dëmtuese”, siç i përshkroi ato ekipi ligjor i Macron.

Sipas padisë, këto thashetheme të rreme kishin evoluar në një “fushatë globale poshtërimi dhe frikësimi pa fund”,  një formë “kryqëzimi dixhital” për Zonjën e Parë të Francës.

Të pandehurit janë tetë burra dhe dy gra, të moshës 41 deri në 60 vjeç, dhe përballen me dënime me burg deri në dy vjet nëse dënohen. Midis tyre është edhe 41-vjeçari ekzekutiv i reklamave Aurélien Poirchon-Atlan, i njohur në internet me pseudonimin “Zoé Sagan”, i cili është lidhur me qarqe konspirative.

Delphine Z., një e vetëshpallur “mediume shpirtërore”, e njohur në YouTube si Amandine Roy, e cila kishte drejtuar një “intervistë” të gjatë online me Natasha Ray, personin që e para përhapi publikisht shpifjen se Brigitte Macron “dikur ishte burrë”, do të ulet gjithashtu në bankën e të akuzuarve.

Kjo teori lindi në vitin 2017, gjatë zgjedhjeve të para presidenciale të Emmanuel Macron, dhe që atëherë ka qarkulluar si në Francë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, siç na kujton gazeta Guardian, Jean-Michel Tronier është vëllai 80-vjeçar i Brigitte Macron, i cili jeton në Amiens, qytetin e tyre të lindjes, dhe është shfaqur publikisht në krah të saj në dy inaugurimet presidenciale, në 2017 dhe 2022.

 

Diferenca në moshë prej 24 vitesh midis çiftit presidencial ka qenë gjithmonë objekt komentesh. Brigitte, atëherë mësuese letërsie në Liceun Jezuit në Amiens, u takua me Emmanuelin përmes grupit teatral të shkollës. Marrëdhënia e tyre, siç thuhet në padinë që ata ngritën në Shtetet e Bashkuara, u zhvillua “me respekt dhe brenda kufijve të ligjit”.

Nënë e tre fëmijëve, Brigitte Tronier u divorcua në vitin 2006 dhe u martua me Emmanuel Macron në vitin 2007, kur ai ishte 30 vjeç. Edhe pse vitet e fundit ajo ka shmangur të flasë publikisht për këtë çështje, në vitin 2022 ajo i tha radios RTL se këto thashetheme përbëjnë “një sulm të pamundur ndaj pemës sime gjenealogjike “. Në televizionin TF1, ajo shtoi:

“Dua të jap një shembull në mënyrë që të tjerët të mos vuajnë siç vuajta unë. Lufta ime është kundër ngacmimit kibernetik.”

 

Çështja Brigitte Macron nuk është më thjesht thashetheme. Ajo pasqyron anën e errët të mediave sociale, një epokë ku shpifja përhapet më shpejt se e vërteta dhe dinjiteti vihet në provë në arenën e mediave sociale. Tani, gjyqësori francez thirret të vendosë nëse tastiera mund të konsiderohet një “armë” dhe nëse e vërteta ka ende një zë.

Burimi: France 24