Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e së enjtes në rreth-rrotullimin e TEG, në autostradën Tiranë-Elbasan.
Një automjet është rrëzuar nga mbikalimi duke rënë nga disa metra lartësi.
Mësohet se automjeti tip Audi po vinte me shpejtësi shumë të madhe nga zona e Farkës, kur ka çarë rrethimin e rrugës dhe ka fluturuar disa metra poshtë, duke aksidentuar edhe një automjet tjetër.
Raportohet se dy persona kanë humbur jetën.
Njoftimi i Policisë
Më datë 09.03.2023, rreth orës 18:05, shtetasi Q. K., duke drejtuar automjetin, në unazën lindore dyshohet se duke dalë për tek rrethrrotullimi i Tegut, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi, mbi kofanon e një automjeti tjetër.
Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetase femra, si dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit Q K., O. K., dhe K. R., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Mbi rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, dhe për gjendjen shëndetsore të të dëmtuarve në spital, do të keni njoftim në vijim.