Afati për shqyrtimin e aplikimeve për ish-pronarët dhe shtrirja e fondit të kompensimit pritet të zgjasë përtej viteve të parashikuara aktualisht nga ligji në fuqi. Ministria e Drejtësisë ka propozuar një projektligj të ri, me argumentin se Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) nuk mund të respektojë afatet aktuale për përfundimin e shqyrtimit të dosjeve deri në fund të këtij viti dhe realizimin e pagesave deri në fund të vitit 2026. Sipas relacionit që shoqëron draftligjin e publikuar për konsultim, në nenin 1 përcaktohet se fondi i kompensimit do të shtrihet deri në vitin 2028. “Aktualisht, sipas parashikimeve ligjore, fondi i kompensimit prej 50 miliardë lekësh është i shpërndarë në 10 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra deri në vitin 2026.

Kjo shtyrje diktohet nga një sërë faktorësh: Shtyrja e afatit për shqyrtimin e kërkesave deri në 31.12.2027, sipas projektligjit të propozuar; Në përputhje me ligjin nr.133/2015, të ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave është e ngarkuar për zbatimin e vendimeve kur ato të marrin formë përfundimtare në kuptim të ligjit, sa i takon vlerësimit financiar të së drejtës së kompensimit apo për ekzekutimin e vlerësimit sipas vendimit gjyqësor. Back log-u i dosjeve pranë sistemit gjyqësor; Ecuria e proceseve gjyqësore dhe qëndrimit të gjykatave, të cilat për sa i takon trajtimit të kërkesave për njohje pronësie nuk kanë proceduar në të gjitha rastet edhe me vlerësimin financiar të së drejtës së njohur, shtyrja e afatit të vlerësimit financiar deri në vitin 2027, krijon kushtet për vlerësimin financiar të titujve ekzekutiv gjyqësor nga ana e ATP-së. Pra, në përputhje me këtë dispozitë, ATP-së i krijohet mundësia që të vijojë me ekzekutimin e vendimeve dhe kompensimin deri në 31.12.2028” thuhet në relacion. Qeveria argumenton se ndryshimet ligjore të vitit 2022 në ligjin nr. 133/2015 e kanë ngarkuar ATP-në me shqyrtimin e 7000 dosjeve të patrajtuara për njohje pronësie. Deri më tani, ATP ka në proces shqyrtimi 5862 dosje dhe 1197 praktika, nga të cilat vetëm 115 janë përmbyllur me vendim përfundimtar, ose 1.6% e totalit të kërkesave të patrajtuara.

“Aktualisht, rezulton se ATP ka në proces shqyrtimi 5862 dosje dhe 1197 praktika, në total 7059, nga të cilat 705 dosje/praktika të rikthyera për trajtim. Në lidhje me procesin e vendimmarrjes, ATP ka përmbyllur aktualisht procedimin administrativ, duke marrë vendim për 115 dosje ose 1.6% të kërkesave ende të patrajtuara, ndërsa ka filluar procedurat e njoftimit për plotësim dokumentacioni për rreth 2900 kërkesa për njohje pronësie ose 41.4% të dosjeve/praktikave” thuhet në dokument. ATP duket se e ka të pamundur të përfundojë procesin sipas afatit për shkak edhe të disa faktorëve të jashtëm që lidhen me plotësimin e dokumentacionit ku disa konfirmime nga institucione të treta kërkojnë 3-6 muaj.

“Duke marrë në konsideratë kohën e mbetur në dispozicion, referuar treguesve të performancës, kapaciteteve të burimeve njerëzore, kompleksitetit të procedimit si dhe kërkesave ligjore për përfundimin e procedimit administrativ, paraprakisht vlerësohet se objektivi ligjor për trajtimin e plotë të dosjeve të patrajtuara brenda datës 31.12.2024, nuk mund të realizohet. Këto përfundime, mbështeten në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, të cilët kanë kushtëzuar vendimmarrjen e ATP-së, duke projektuar si objektiv të arritshëm maksimalisht rreth 700 vendime deri në fund të vitit 2024, ose 10% të dosjeve të patrajtuara”, thuhet në relacion.