Arbi Agalliu një nga deputetet e Partisë Demokratike që mbështet Lulzim Bashën ka kritikuar kolegët e tij demokratë, të cilët sot bllokuan Kuvendin dhe nuk lejuan që të zhvillohej seanca.
Me anë të një postimi në Facebook, Agalliu thotë se “dhuna dhe bojkoti nuk mund të jenë alternativë për shqiptarët në vitin 2023”.
Sipas tij, bojkoti i institucioneve dhe bllokimi i aktivitetit parlamentar nuk është ajo çfarë shqiptarët presin, ndërsa thekson se “opozita e ka vendin në parlament, në komisionet parlamentare dhe kudo ku ligji dhe kushtetuta lejon”.
Sipas tij nga kjo sjellje e Berishë përfiton vetëm Edi Rama dhe qeveria e tij.
“Demokracia shqiptare është goditur sa herë ka patur bojkot dhe bllokim.
Ajo që i duhet Shqipërisë sot nuk është bojkoti por fryma dhe alternativa.
Fryma krijohet kur je i ndershëm dhe me moral në aksionin politik. Fatkeqësisht, nuk mund të luftosh korrupsionin me njerëz të korruptuar.
Aq më tepër të pretendosh dhe të kërkosh me dhunë të të pranojë një popull i tërë, i cili të refuzon me votë në mënyrë të vazhdueshme.
Nga kjo sjellje e Berishës dhe deputetëve të tij përfiton vetëm Edi Rama dhe qeveria e korruptuar”, shkruan Agalliu.