Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka deklaruar se Partia e Lirisë, e cila drejtohet nga Ilir Meta, nuk do të jetë në koalicion me partitë e tjera opozitare ku do të futen edhe kandidatët e Rithemelimit për kryetarë bashkish.
Ai u shpreh gjatë një interviste në “A2” se PL do të mbështesë kanidatët e opozitës, por Meta nuk mund të jetë në koalicion sepse kanë dalë me lista për këshilltarë bashkiakë dhe jo për kryebashkiakë dhe në këtë mënyrë ligji nuk e lejon.
“Nuk është Meta pjesë e koalicionit. Janë parti të tjera. Pa dyshim Meta dhe Partia e Lirisë do të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë bashkitë e vendit dhe kjo është deklaruar.
Ata nuk kanë dalë me lista për kryebashkiakë. Por kanë dalë me lista të veçanta për këshilltarë. Në bazë të ligjit Meta nuk mund të jetë pjesë e këtij koalicioni”, u shpreh Shehu.
Dy ditë më parë Meta tha se me logon e partisë së tij do të regjistrojë të gjithë kandidatët e dalë nga procesi i Primareve, duke iu referuar marrëveshjes së firmosur pak javë më parë me Sali Berishën.